Kryeministri Edi Rama nderoi Profesor Hubert Hasenauer, rektorin e Universitetit të BOKU në Austri, me Yllin për Mirënjohje Publike, për kontributin dhe përkushtimin e tij në transformimin e UBT (Universitetit Bujqësor të Tiranës) sipas modelit të BOKU të Vjenës, në rrugën e njehsimit të diplomave mes tyre.
Në fjalën e tij, Hasenauer u shpreh tepër i lumtur dhe mirënjohës për punën e zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke i falënderuar të gjithë për këtë dekoratë.
“Ishte shumë e qartë që ju të gjithë kishit vizion shumë të madh për të bërë gjëra të mira. Menjëherë di ta dalloj nëse njerëzit e kanë seriozisht apo jo, siç e tha kryeministri, shihet te sytë. Unë e kuptova që ju e kishit seriozisht. Ky nder që më bëni është vlerësim për të gjithë ne. I gjithë personeli mësimdhënës ka qenë pjesë e këtij rrugëtimi.
Qeveritë e Shqipërisë dhe Austrisë na kanë mbështetur. Falënderoj dhe ministrat që kam pasur kontakte që në fillim. Në fund, por jo më pak nga rëndësia, dua t’ju falënderoj ju kryeministër për mbështetjen dhe punën që ne kemi bërë. Jam mirënjohës që kam takuare shumë njerëz të rinj, përfshirë ata që kam takuar këtu në Shqipëri.
Në mënyrë që kjo punë të nderohet, është privilegj, nder, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe.
Të dashur kolegë të UBT-së, të dashur kolegë të BOKU, ju jam shumë mirënjohës. I nderuar kryeministër, të nderuar ministra, ju faleminderit për mbështetjen dhe këtë dekoratë. Jam i privilegjuar të vijoj punën me UBT-në në Tiranë”, tha Hasenauer.
Top Channel