Video/ 75 metra të përshkruar në 12 sekonda, qendërmbrojtësi i Tottenhamit i lë të gjithë me “gojë hapur” pas supergolit në Champions

05/11/2025 07:53

Një gol i jashtëzakonshëm individual nga mbrojtësi Micky van de Ven ka bërë xhiron e rrjeteve, pasi ai vrapoi 75 metra nga zona e tij mbrojtëse për të shënuar një perlë të rrallë në fitoren e Tottenham ndaj Copenhagen në Ligën e Kampionëve.

Holandezi i shpejtë si rrufeja nis aksionin nga brenda zonës së vet, duke kaluar me lehtësi katër lojtarë kundërshtarë, përpara se të përfundonte aksionin me një goditje precize në cepin e portës, duke shënuar golin e tretë për “Spurs”.

Kliko këtu për golin.

Goli i tij kujtoi menjëherë supergolin e Son Heung-min ndaj Burnley-t në dhjetor 2019, që i solli sulmuesit korean çmimin “Puskas” për golin më të bukur të vitit.

“E pashë një hapësirë përpara dhe thashë ‘pse jo?’ – fillova të vrapoj dhe ndjeva se mund ta çoja deri në fund. U ndjeva i mrekullueshëm gjatë sprintit, mund të vazhdoja pa u ndalur,” tha Van de Ven pas ndeshjes.

Ky ishte goli i gjashtë sezonal për mbrojtësin holandez, që po konfirmon formën e tij fantastike nën drejtimin e trajnerit Thomas Frank.

Në ndeshje, Brennan Johnson zhbllokoi rezultatin në minutën e 19-të, por më pas u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër, të cilën VAR-i e rishikoi dhe e përmirësoi në ndëshkim të drejtpërdrejtë.

Edhe pse me një lojtar më pak, Tottenham nuk u ndal: Odobert shënoi golin e dytë, më pas erdhi mrekullia e Van de Ven, ndërsa në fund Palhinha vulosi fitoren me golin e katërt.

Në minutat shtesë, Richarlison humbi mundësinë për të shënuar edhe të pestin, pasi penalltia e tij u përplas në traversë, por kjo nuk e zbeh dot natën e madhe të Tottenham dhe golin që tashmë është kandidat për “Puskas Award 2025”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta