Rusia shtrëngon rrethimin mbi Pokrovskun, Kremlini paralajmëron rikthimin e testimeve bërthamore
Ish-mbreti spanjoll Juan Carlos, i cili u detyrua të largohej në mërgim pas një sërë skandalesh, e përshkruan veten si një “njeri të plagosur” në kujtimet e tij të botuara në Francë të mërkurën (5 nëntor), të shkruara në bashkëpunim me autoren Laurence Debray.
Në librin me 500 faqe, të titulluar “Pajtimi” (Réconciliation, botuar nga Stock*), ish-monarku 87-vjeçar pranon gabimet e tij dhe shprehet se ëndërron të rikthehet në atdhe.
“Nuk kalon asnjë ditë pa më pushtuar nostalgjia. Është sikur Spanja më është ngjitur në lëkurë,” shkruan ai, duke rrëfyer se kishte frikë se do të vdiste pa qenë në gjendje të tregonte dhe të shpjegonte gjithçka.
Juan Carlos, i cili prej vitit 2020 jeton në Emiratet e Bashkuara Arabe, flet hapur edhe për marrëdhëniet e tij personale, përfshirë lidhjen me aristokraten gjermane Corinne Larsen, të cilën e përmend pa e përmendur me emër.
“Nuk mund ta shmang këtë çështje, pasi pati një ndikim të dhimbshëm në mbretërimin dhe fatin tim. I referohem me zemër të rëndë, dhe kjo do të jetë e vetmja herë,” shkruan ai.
Një nga episodet më të diskutueshme të jetës së tij mbetet udhëtimi në Botsvana në vitin 2012, ku gjatë një ekspedite gjuetie ai u plagos. Ky incident, në kulmin e krizës ekonomike që përfshinte Spanjën, shkaktoi zemërim të madh publik dhe dëmtoi rëndë reputacionin e monarkut.
Ish-mbreti pranon gjithashtu se kishte bërë një “gabim serioz” kur kishte pranuar një dhuratë prej 100 milionë dollarësh nga mbreti Abdullah i Arabisë Saudite.
“Ishte një dhuratë që duhet ta kisha refuzuar,” shprehet ai në kujtimet e tij.
Sipas bashkëautores Laurence Debray, “ai shprehet hapur se i vjen keq për disa gjëra — është mjaft e qartë. Është versioni i tij, e vërteta e tij, një pjesë e historisë së madhe e rrëfyer nga këndvështrimi personal.”
Debray, e cila kishte shkruar më parë një biografi për të në vitin 2013 dhe kishte punuar me të në një dokumentar para abdikimit të tij në vitin 2014, u vendos në Abu Dhabi në shtator 2022 për të bashkëpunuar në shkrimin e kujtimeve.
Juan Carlos u ngjit në fron në vitin 1975, pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco, i cili e kishte emëruar pasardhësin e tij. Ai njihet si figura që udhëhoqi tranzicionin e Spanjës drejt demokracisë dhe gëzoi respekt ndërkombëtar për dekada.
“Isha pranë tij në shtratin e spitalit. Ai më mori dorën dhe më tha me frymën e fundit: ‘Lartmadhëria Juaj, ruani unitetin e vendit.’ Kështu mora dorë të lirë për të filluar reformat,” kujton ai.
Në kujtimet e tij, ai përmend edhe gruan e tij, Mbretëreshën Sofia, e cila ka qëndruar në Spanjë.
“Më vjen shumë keq që gruaja ime nuk bëri kurrë udhëtimin për të më parë. Dyshoj se ajo nuk do ta zemërojë të birin,” thotë ai, duke iu referuar Mbretit aktual Felipe VI.
Sipas Debray, në Spanjë njerëzit e kujtonin Juan Carlosin si “një njeri zemërhapur dhe të afërt me popullin”, por në realitet ai është “një njeri shumë i vetmuar, i ndarë midis familjes së tij dhe trashëgimisë së Francos që në moshë të re”.
Në fund të kujtimeve, ish-mbreti shpreh dëshirën për të kaluar ditët e fundit të jetës në atdhe:
“Do të doja të kthehesha në Spanjë, në shtëpinë time. Të gjej sërish vendin tim — atë të një njeriu që ia kushtoi veten plotësisht vendit të tij dhe që shpreson të varroset atje me nderime.”
Top Channel