I burgosuri palestinez u keqtrajtua nga ushtarë izraelitë, reagon mjeku dëshmitar: U torturua dhe u dhunua me thikë

05/11/2025 16:57

Doktor Yoel Donchin është një nga dëshmitarët kryesorë në hetimin që ka tronditur majat e ushtrisë izraelite, hetim që përfundojë me arrestimin e ish-avokates së përgjithshme të ushtrisë, Yifat Tomer-Yerushalmi, e dyshuar për publikimin e informacioneve lidhur me abuzimet ndaj një të burgosuri palestinez në burgun ushtarak Sde Teiman.

Sipas intervistës së publikuar në “La Repubblica”, Donchin shërbente në spitalin fushor të ngritur pranë bazës. Me mbi 40 vite përvojë si anestezist ushtarak, ai ishte ndër të parët që pa nga afër të burgosurin palestinez pas dhunës që kishte pësuar dhe raportoi rastin tek autoritetet kompetente.

“Ekzaminuam plagët e tij dhe kuptuam menjëherë se nuk bëhej fjalë për përdhunim me një pjesë njerëzore, por për dëmtime të shkaktuara nga një objekt i mprehtë, ndoshta thikë, që i kishte shpuar zorrën. Ishte një rast urgjent që kërkonte ndërhyrje kirurgjikale të menjëhershme”, tregon Donchin.

Intervista:

Çfarë ndodhi në spital?

“Pas torturës, i burgosuri u rikthye në zonën ku mbaheshin të gjithë të burgosurit e tjerë. Filloi të gjakosej nga rektumi(një pjesë e zorrës së tradhë) dhe kishte vështirësi në frymëmarrje. Mjeku i turnit thirri menjëherë ambulancën, dhe ai u dërgua në spitalin e përgjithshëm të Ashdodit. Atje iu bë skaneri dhe rezonanca magnetike, ku u zbulua një dëmtim në murin abdominal. U operua menjëherë. Të nesërmen na kërkuan ta shtrojmë në spitalin tonë fushor. Ne kishim akses në të gjitha të dhënat mjekësore dhe e pamë që plagët nuk mund të ishin vetëshkaktuar. Kështu njoftuam autoritetet dhe u hap hetimi”, tregon doktori.

Reagimi pas denoncimit

“Pas raportimit, u përballëm me një fushatë të ashpër nga grupe aktivistësh të djathtë. Avokatë dhe anëtarë të qeverisë na akuzuan se po njollosnim ‘heronjtë e ushtrisë’. Në këtë klimë tensioni u përfshi edhe avokatja Yifat Tomer-Yerushalmi. Vetëm më pas ndodhi rrjedhja e informacionit, kur hetimi tashmë kishte nisur. Ajo bëri një gabim, por nuk është kriminele. E djathta tani po feston mbi shkatërrimin e saj personal”, tha ai.

A arrite të flisje me të burgosurin?

“Nuk na lejohej të kishim shumë komunikim me të burgosurit, por në arabishten time të kufizuar i shpreha solidaritetin tim. Pastaj zhvilluam një bisedë mjekësore: e pyeta nëse ndiente dhimbje dhe mora lejen e tij për anestezinë. Nuk i kërkova detaje për atë që kishte ndodhur, isha aty si mjek, nën presion, dhe detyra ime ishte ta trajtoja si pacient. Për mua nuk kishte rëndësi nëse ishte pjesëtar i Nukhba-s apo civil, ishte një qenie njerëzore që kishte nevojë për ndihmë.

Sipas raportit kirurgjikal të spitalit të Ashdodit, bëhej fjalë për një plagë rektale të shkaktuar nga një objekt i mprehtë, ndoshta thikë, që kishte dëmtuar zorrën. Nuk jam ekspert i mjekësisë ligjore, por mund të them me siguri se nuk ishte një plagë e vetëshkaktuar”, u shpreh ai.

Dëshmia përpara autoriteteve

“Po, jam marrë në pyetje nga hetuesit dhe kam dhënë mendimin tim profesional. Për mua nuk ka asnjë dyshim se ngjarja ka ndodhur”, tha doktori.

Për të burgosurin

“Mendoj se ishte rreth të dyzetave. Nuk dimë emrat e pacientëve, secilit i caktohet një numër që figuron në kartelën klinike dhe atë anestezisë”, u shpreh doktori.

Pse vendose të flasësh publikisht?

“Sepse lexova absurditete, se në spitalin tonë bëheshin ndërhyrje pa anestezi. Trajtimi mjekësor ishte profesional dhe human.”

A ka parë raste të tjera abuzimesh?

Jo. Përveç shenjave të prangave apo plagëve nga qëndrimi i gjatë në një pozicion, nuk kam parë tortura të tjera. Ky rast ishte përjashtim. Por është e vërtetë që të burgosurve nuk ua bënin jetën të lehtë, përdorimi i qenve, zhurmat gjatë natës, por jo dhunë e këtij niveli”, tregon ai.

Lirimi i papritur i të burgosurit

“Nuk kuptoj pse e liruan tre javë më parë pa i marrë dëshminë. Por mendoj se ndodhi për të njëjtin motiv për të cilin u arrestua avokatja e përgjithshme.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta