Formati i ri i Champions-it, vjedhje idesh? UEFA rrezikon të gjobitet pas akuzave për shkelje të të drejtave të pronësisë

05/11/2025 10:08

UEFA po përballet me një padinë ligjore prej 18 milionë paund pas akuzave se ka “vjedhur” formatin e saj të ri të Ligës së Kampionëve, të njohur si modeli zviceran.

Ky sistem, i prezantuar sezonin e kaluar, përfshin 36 skuadra që luajnë tetë ndeshje në një tabelë të vetme ligash, duke zëvendësuar fazën e mëparshme me katër grupe prej katër skuadrash secili.

Kompania MatchVision, e drejtuar nga Leandro Shara, ka nisur veprim ligjor duke pretenduar se kishte propozuar këtë koncept UEFA-s më shumë se një dekadë më parë. Shara deklaron se ka regjistruar markën e konceptit në vitin 2006 dhe se e kishte prezantuar atë për UEFA-n në vitin 2013. Ai akuzon UEFA-n për shkelje të të drejtave të tij të pronësisë intelektuale.

“Unë jam krijuesi i formatit,” tha Shara, duke shtuar se FIFA ka njohur të drejtat e tij të pronësisë intelektuale dhe algoritmin që e zhvillon atë. “Unë nuk kërkoj pasurinë time. Vetëm që të drejtat, investimi dhe njohuritë e mia të pranohen dhe të korr atë që kam punuar.”

UEFA ka tre javë kohë për t’u përgjigjur ndaj kërcënimit ligjor, por deri tani nuk ka komentuar mbi çështjen.

Ky rast mund të krijojë një precedent të rëndësishëm për të drejtat e pronësisë intelektuale në futbollin ndërkombëtar, duke vënë në pikëpyetje përdorimin e formatit të ri në Ligën e Kampionëve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta