“Nuk do të tolerojmë”/ Banorët e Bulqizës kundër ndërtimit të HEC-it: Do të na lejnë pa ujë të pijshëm dhe vaditës

04/11/2025 11:42

Nisja për fillimin e punimeve për ndërtimin e një HEC-i nga shoqëria “EAK ENERGJI” në fshatin Tërnovë e Madhe, të njësisë administrative Zerqan të Bashkisë Bulqizë, gjatë një dëgjesë publike, është shoqëruar me tone të ashpra mes banorëve të kësaj zone dhe përfaqësuesve të firmës, të cilët u mblodhën para njësisë administrative Zerqan.

Banorët shprehen se janë kundër ndërtimit të këtij HEC-i në fshatin e tyre, pasi uji që duan të marrin për ndërtimin e këtij hidrocentrali i lë ata pa ujë të pijshëm dhe vaditës.

Sipas banorëve, ata nuk janë pyetur nga ana e firmës për dakordësinë e ndërtimit të këtij HEC-i dhe se kjo që duan të bëjnë ata është një shkelje e hapur. “Nuk do të tolerojmë të cenojë askush asnjë centimetër dhe asnjë pikë uji nuk do ta lejojmë ta marrin për qëllimet e tyre”,  u shpreh Hasan Cani, banor i zonës dhe ekspert i mjedisit, pyjeve dhe zonave të mbrojtura.

Fiqiri Gjika, banor i zonës, shprehet se nëse merret ky ujë, ata mbeten pa ujë vaditës dhe tokat e fshatit thahen të gjitha, ndaj firma nuk duhet të nisë punimet.

Xhelil Rajku, banor, shprehet se “Unë kam tokën aty ku duan të kryejnë punimet dhe do ta mbroj deri në pikën e fundit, sepse ne po fillojmë ndërtimin e shtëpive“. “Nëse merret ky ujë, sjell dëme në bujqësi dhe blegtori, neve po na marrin bukën e gojës, ndaj duhen të merren masa sa më parë.

Besim Xhafa u shpreh se nëse merret ky ujë, mbeten pa ujitur rreth 80 hektarë tokë, pa marrë parasysh që këtë ujë e përdorin edhe për të pirë. Ai bëri thirrje që ndërtimi të ndalohet sa më parë. (sinkron)

Hasan Cani, ekspert i Mjedisit, Pyjeve dhe Zonave të Mbrojtura, theksoi se ndërtimi i këtij HEC-i, nëse merret ky ujë, sjell pasoja ekonomike, sociale dhe mjedisore të pariparueshme për komunitetin dhe mjedisin. Ai tha se burimi i ujit ndodhet në një zonë me biodiversitet të rëndësishëm dhe është jetik për komunitetin. “Kjo zonë ka vlera turistike dhe banorët po rikthehen të investojnë në pronat e tyre. Firma nuk shpalosi asnjë detaj në lidhje me projektin dhe nuk tregoi dëmet që sjell ndërtimi. Ndaj bëjmë thirrje që institucionet të marrin masa sa më parë.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta