Panairi Ndërkombëtar i Tiranës (TIF) rikthehet në nëntor 2025 me edicionin e tij të 31-të, nën konceptin “Windows into the Future”, duke sjellë një eksperiencë të re ekspozuese që përkon me vizionin strategjik “Shqipëria 2030”.

Ky edicion, i cili do të mbahet nga 5 deri më 8 nëntor 2025 në Pallatin e Kongreseve, organizohet nga Klik Ekspo Group, kompania lider në organizimin e eventeve ndërkombëtare të biznesit dhe ekonomisë në Shqipëri dhe rajon. Klik Ekspo Group, e cila prej më shumë se tri dekadash ka ndërtuar një traditë të qëndrueshme në zhvillimin e panaireve ekonomike dhe forumeve të bashkëpunimit, këtë vit vjen me një qasje të re konceptuale që synon të lidhë biznesin, teknologjinë, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Sipas organizatorëve, TIF 2025 është konceptuar si një platformë kombëtare dhe ndërkombëtare bashkëpunimi, që bashkon aktorë nga qeveria, biznesi, akademia dhe shoqëria civile për të diskutuar mbi drejtimet e reja të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe rajonit.

Në qendër të këtij edicioni qëndron ideja e “dritareve drejt së ardhmes” – hapësira ku vizitorët, partnerët dhe institucionet mund të shohin, përjetojnë dhe kuptojnë projektet që po ndërtojnë Shqipërinë e dekadës së ardhshme. Përmes këtij koncepti, Klik Ekspo Group synon të krijojë një përvojë gjithëpërfshirëse që i fton pjesëmarrësit të reflektojnë mbi sfidat dhe mundësitë që sjell transformimi ekonomik, digjital dhe infrastrukturor i vendit.

Një nga risitë më të rëndësishme të këtij viti është “Eksperienca Imersive – Shqipëria 2030”, e cila do të zhvillohet në katin -1 të Pallatit të Kongreseve. Kjo hapësirë do të ofrojë një udhëtim multisensorial në kohë, drejt vitit 2030, përmes dritave, tingujve dhe projeksioneve 3D që do të tregojnë sesi po ndryshon realiteti urban, energjetik dhe teknologjik i vendit. Publiku nuk do të shohë vetëm një ekspozitë – ai do të “jetojë të ardhmen” për disa minuta, duke u bërë pjesë e vizionit të Shqipërisë moderne që po ndërtohet sot.

Në qendër të edicionit do të qëndrojë pavijoni “Windows into the Future”, një instalim konceptual i ndërtuar mbi idenë e “dritares” si simbol i hapjes dhe vizionit përpara. Pavijoni do të bashkojë katër institucione dhe kompani kryesore, të cilat po formësojnë të ardhmen e vendit në fusha strategjike si infrastruktura, energjia, inovacioni dhe arsimi. Çdo “dritare” e këtij pavijoni do të përfaqësojë një sektor që po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e Shqipërisë së së nesërmes.

Klik Ekspo Group, në rolin e saj si organizatore e këtij eventi madhor, ka theksuar se TIF 2025 nuk është vetëm një panair, por një platformë e hapur për bashkëpunim dhe vizion, ku do të prezantohen ide, teknologji dhe projekte që kanë potencialin të ndryshojnë mënyrën si ndërtohet e ardhmja.

“Pas 30 vitesh përvojë në krijimin e hapësirave që lidhin bizneset, qeveritë dhe qytetarët, edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës është një pikë kthese për ne. Me ‘Windows into the Future’ ne duam të tregojmë jo vetëm produktet apo projektet, por edhe rrugët që po hapen drejt një Shqipërie moderne, të qëndrueshme dhe inovative”, – theksojnë përfaqësuesit e Klik Ekspo Group.

Ky edicion pritet të tërheqë qindra kompani vendase dhe ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe partnerë rajonalë e europianë, duke e bërë TIF 2025 jo vetëm një ngjarje ekonomike, por edhe një forum të rëndësishëm vizionar për të ardhmen e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta