Trump fali një manjat kriptomonedhash, por… nuk e ka idenë se kush është ai Një tërmet me magnitudë 6.3 ka goditur Afganistanin verior në orën 12:58 të mëngjesit sipas kohës lokale të dielën, më 2 nëntor, duke shkaktuar viktima dhe dëme të shumta materiale.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra e tërmetit u regjistrua rreth 35 kilometra nga Khulmi, pranë qytetit Mazar-e-Sharif, në provincën Balkh, me një thellësi prej 10 kilometrash.
Lëkundjet u ndjenë edhe në Kabul, megjithëse ndodhet qindra kilometra larg nga epiqendra.
Raportet fillestare flasin për të paktën 20 të vdekur dhe rreth 320 të plagosur, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rritet.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të qeverisë talebane, Sharafat Zaman Amarkhail, tha se “të gjitha spitalet janë udhëzuar të jenë plotësisht të përgatitura për të ofruar ndihmën e nevojshme”, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në zonat më të goditura.
Tërmeti shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëme strukturore në disa pjesë të provincës Balkh. Një pjesë e Xhamisë Blu, një nga vendet më të shenjta të Afganistanit në Mazar-i-Sharif, është raportuar e dëmtuar. Xhamia, e ndërtuar në shekullin e 15-të, besohet të jetë vendi i varrimit të kushëririt dhe dhëndrit të Profetit Muhamed.
Afganistani ndodhet në një nga zonat më të rrezikuara sizmike në botë, për shkak të pozicionit të tij në kryqëzimin e pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.
Vetëm gjatë viteve të fundit, vendi është goditur nga disa tërmete vdekjeprurëse – mes tyre ai i tetorit 2023, që shkaktoi mbi 4,000 viktima, dhe ai i gushtit 2025, që mori jetën e më shumë se 2,200 personave në lindje të vendit.
Autoritetet afgane dhe agjencitë ndërkombëtare të emergjencës po monitorojnë situatën, ndërsa frika e pasgoditjeve të reja mbetet e lartë.
Top Channel