SHBA rrit praninë ushtarake në Karaibe, Trump kërcënon Maduron: Ditët e tij janë të numëruara

03/11/2025 08:17

Tensionet në Karaibe po rriten ndjeshëm, teksa Pentagoni ka raportuar se Trupat e Marinës amerikane kanë kryer ushtrime zbarkimi dhe infiltrimi në Porto Riko.

Manovrat ushtarake, të shoqëruara me një video të publikuar nga Komanda Jugore e SHBA-së, tregojnë automjete amfibe, helikopterë dhe njësi të pajisura për operacione të shpejta zbarkimi.

Sipas Pentagonit, Njësia e 22-të Ekspedicionare Detare zhvilloi “operacione stërvitore në Porto Riko” në kuadër të misionit të Komandës Jugore, që synon mbështetjen e operacioneve kundër trafikut të paligjshëm të drogës dhe forcimin e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, këto lëvizje janë interpretuar gjerësisht si një demonstrim force ndaj Venezuelës, në një kohë kur spekulimet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake janë shtuar ndjeshëm.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump, në një intervistë për CBS, e përforcoi qëndrimin e tij të ashpër ndaj regjimit të Nicolas Maduros.

“A janë ditët e numëruara të Maduros? Do të thoja se po”, deklaroi Trump, pa dhënë megjithatë detaje mbi ndonjë plan konkret ushtarak.

Kjo retorikë dhe përqendrimi i trupave amerikane në Karaibe po shtojnë tensionet në rajon, ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë paralajmërojnë për mundësinë e një përshkallëzimi të situatës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta