Real Madrid e Alexander Arnold kujtojnë Diogo Jotën, homazh për portugezin në Anfield
Maurizio Mariani, gjyqtari që u pezullua nga përgjegjësi i arbitrave në Serie A, Gianluca Rocchi, pas penalltisë së diskutueshme në ndeshjen Napoli–Inter, është shpërblyer nga UEFA me një detyrë prestigjioze: do të gjykojë supersfidën PSG–Bayern Munich, të vlefshme për javën e katërt të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.
Mariani u bë qendër polemikash pas vendimit për t’i dhënë një penallti Napolit, pas një kontakti minimal midis Henrikh Mkhitaryan dhe Giovanni Di Lorenzo. Vendim që shkaktoi reagime të forta dhe e detyroi Rocchin të mos e përfshinte gjyqtarin në javën pasuese të Serie A.
Megjithatë, vetëm disa ditë më vonë, Mariani u rikthye në fushë — këtë herë në Serie B, për të arbitruar ndeshjen Virtus Entella–Empoli, ndërsa tashmë UEFA e ka përzgjedhur për një nga takimet më të rëndësishme të javës.
Ndër asistentët e tij do të jetë sërish Daniele Bindoni, i cili u përfshi në episodin që çoi në penalltinë e kontestuar ndaj Interit dhe që, sipas Rocchit, është “fajtori kryesor” për atë gabim.
Ndeshja e tij e fundit në Champions ishte më 17 shtator, në përballjen Liverpool–Atlético Madrid, që përfundoi 3–2 për anglezët.
Aktiviteti i kufizuar i 42-vjeçarit gjatë muajve të fundit lidhet edhe me pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës U-20 në Kili, ku ai gjykoi katër takime, përfshirë finalen midis Marokut dhe Argjentinës, e fituar nga afrikano-veriorët me rezultatin 3–0 më 20 tetor.
Top Channel