Identifikoi trupin e Che Guevara-s dhe u akuzua si spiun i KGB-së, ndërron jetë ish-gazetari dhe historiani i ‘The Guardian’
Aktor dhe donator i njohur demokrat, George Clooney, deklaroi se zëvendësimi i Joe Biden me Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së 2024 ishte “një gabim”, duke shtuar se ish-zëvendëspresidentja u vendos në një pozitë të pamundur për të kandiduar “kundër rekordit të vetes”.
Duke folur në emisionin Sunday Morning të CBS, Clooney tha se Partia Demokratike duhej të kishte mbajtur një proces paraprak të hapur për të zgjedhur kandidatin presidencial, në vend të një votimi virtual të delegatëve që e çoi Harris-in drejt nominimit.
“Doja të kishim zgjedhje paraprake. Mendoj se gabimi ishte se Kamala duhej të kandidonte kundër rekordit të saj. Është shumë e vështirë të thuash ‘Unë nuk jam ai person’, kur ke qenë pjesë e të njëjtës administratë”, tha Clooney.
Ai shtoi se nuk është penduar për artikullin e tij të opinionit në The New York Times, ku kishte kërkuar që Biden të mos kandidonte për një mandat të dytë.
“Do ta shkruaja sërish atë artikull. Të mos e bëja do të ishte si të mos thoja të vërtetën,” – theksoi ai.
Deklaratat e Clooney-t vijnë pasi djali i presidentit, Hunter Biden, reagoi ashpër në një intervistë për Channel 5, duke përdorur gjuhë fyese ndaj aktorit dhe duke e akuzuar për mungesë respekti ndaj babait të tij.
“Çfarë të drejte ke të shkelësh mbi një njeri që i ka kushtuar jetën këtij vendi?” – tha Hunter Biden.
I pyetur për reagimin, Clooney zgjodhi të mos përfshihej në polemikë:
“Nuk mendoj se të shikosh prapa është e dobishme për askënd. I uroj Hunter-it gjithë të mirat në shërimin e tij.”
Artikulli i Clooney-t në The New York Times me titull “E dua Joe Biden. Por na duhet një kandidat i ri” u botua pas performancës së dobët të Biden-it në debatin me Donald Trump. Ai paralajmëroi se Demokratët do të rrezikonin humbjen e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit nëse Biden vazhdonte kandidaturën.
Top Channel