Carlos Alberto Manzo Rodríguez, kryetari i bashkisë së Uruapanit në shtetin perëndimor të Michoacán, u qëllua për vdekje para dhjetëra njerëzve gjatë festimeve tradicionale të Ditës së të Vdekurve. Ai ishte nën mbrojtjen e policisë në momentin e sulmit.
Sipas autoriteteve, sulmi ndodhi të shtunën në mbrëmje në qendrën historike të Uruapanit, ndërsa qindra banorë dhe turistë merrnin pjesë në aktivitetet festive.
Një burrë i paidentifikuar e qëlloi Manzo Rodríguezin shtatë herë, duke plagosur gjithashtu një anëtar të këshillit bashkiak dhe një truprojë. Kryebashkiaku u dërgua në spital, por ndërroi jetë pak më vonë, konfirmoi prokurori i shtetit, Carlos Torres Piña.
Sekretari federal i Sigurisë, Omar García Harfuch, tha se arma e përdorur në atentat lidhet me dy përleshje të mëparshme midis grupeve kriminale rivale që veprojnë në rajon.
“Asnjë pistë hetimi nuk po përjashtohet për të sqaruar këtë akt frikacak,” – deklaroi García Harfuch.
Të dielën, qindra qytetarë të Uruapanit dolën në rrugë të veshur me të zeza, duke mbajtur fotografi të Manzo Rodríguez dhe duke brohoritur “Drejtësi, drejtësi. Jashtë Morena”, në shenjë proteste ndaj partisë në pushtet të presidentes Claudia Sheinbaum.
Në krye të procesionit të varrimit, një burrë udhëhiqte kalin e zi të kryebashkiakut, me kapelën e tij karakteristike mbi shalë, ndërsa muzikantë mariaçi luanin këngë zie.
Carlos Alberto Manzo Rodríguez, ish-ligjvënës i partisë Morena, kishte fituar postin e kryetarit të bashkisë në zgjedhjet e mesit të mandatit si kandidat i pavarur. Ai ishte quajtur nga mbështetësit e tij “Bukele i Meksikës” për shkak të qasjes së ashpër kundër krimit.
Kryebashkiaku ishte nën mbrojtje policore që nga dhjetori 2024, tre muaj pas marrjes së detyrës. Në maj të këtij viti, sigurimi i tij u shtua me polici bashkiake dhe 14 oficerë të Gardës Kombëtare, por autoritetet nuk dhanë detaje për arsyet e shtimit të mbrojtjes.
Në muajt e fundit, Manzo Rodríguez kishte kërkuar publikisht ndihmën e presidentes Sheinbaum për të luftuar kartelet, duke akuzuar guvernatorin Alfredo Ramírez Bedolla dhe policinë shtetërore për korrupsion.
Top Channel