Tragjedi në Uells, qeni sulmon një foshnjë 9-muajshe
Presidenti amerikan Donald Trump ka zbutur retorikën për një përplasje të mundshme ushtarake me Venezuelën, por njëkohësisht ka lënë të kuptohet se ditët e Nicolás Maduros në pushtet mund të jenë të numëruara.
I pyetur nga CBS “60 Minutes” nëse Shtetet e Bashkuara do të nisnin një luftë kundër Venezuelës, Trump tha: “Nuk mendoj kështu. Nuk besoj se do të ndodhë. Por ata janë sjellë shumë keq me ne.”
Prej më shumë se dy muajsh, ushtria amerikane ka rritur praninë e saj në Detin e Karaibeve, duke vendosur anije luftarake, avionë luftarakë, bombardues, marinsa, dronë dhe avionë zbulues — një dislokim ushtarak më i madh në rajon në dekada.
Sipas administratës së Trump, operacionet kanë për qëllim goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës që, sipas Uashingtonit, furnizojnë tregun amerikan.
Deri më tani, të paktën 64 persona janë vrarë nga sulmet amerikane në Karaibe dhe Paqësorin lindor që prej fillimit të shtatorit, sipas raportimeve të CBS News, partneri amerikan i BBC-së.
Trump hodhi poshtë akuzat se fushata ushtarake ka për qëllim rrëzimin e regjimit të Maduros, duke deklaruar se aksionet kanë të bëjnë me “shumë gjëra”.
Nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, Florida, ai shtoi: “Çdo varkë që ne shkatërrojmë ndalon 25 mijë doza droge dhe shpëton familje në të gjithë vendin.”
Megjithatë, kur u pyet nëse SHBA mund të ndërmerrte sulme tokësore ndaj Venezuelës, Trump nuk e përjashtoi mundësinë, duke u shprehur: “Nuk do të isha i prirur të thoja se do ta bëja… por nuk do t’ju tregoj se çfarë do të bëja ose jo me Venezuelën.”
Në sfond të këtyre zhvillimeve, tensionet midis SHBA-së dhe regjimit të Maduros mbeten të larta, ndërsa Venezuela vazhdon të përballet me krizë ekonomike dhe izolim ndërkombëtar.
Top Channel