Tre trupa të tjerë dorëzohen nga Hamasi, Izraeli: Po kryhen verifikimet për identifikimin e tyre

02/11/2025 21:29

Autoritetet izraelite kanë konfirmuar se kanë marrë nga Kryqi i Kuq edhe tre trupa të tjerë të personave të vrarë në Gaza, që sipas Hamasit i përkisnin pengjeve izraelite.

Trupat ndodhen aktualisht në duart e ushtrisë izraelite dhe po i nënshtrohen testeve të ADN-së për identifikim.

Hamasi deklaroi se trupat janë gjetur në një tunel në jug të Gazës. Por ky zhvillim vjen vetëm një ditë pasi Izraeli njoftoi se tre trupa të dorëzuar më herët nuk përputheshin me asnjërin nga pengjet e zhdukur.

Izraeli ka akuzuar Hamasin për vonesa dhe konfuzion të qëllimshëm në procesin e dorëzimit të trupave, duke e cilësuar situatën si “zhvlerësim të dhimbjes së familjeve”. Ndërkohë, grupi militant pretendon se shkatërrimi i madh në Gazë dhe mungesa e mjeteve e vështirëson gjetjen e trupave.

Më herët, Izraeli njoftoi se trupat e Sahar Baruch dhe Amiram Cooper, të marrë disa ditë më parë, janë identifikuar si pengje të vrarë gjatë luftës.

Procesi i dorëzimit të trupave është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA, e cila parashikonte lirimin e pengjeve dhe kthimin e trupave të viktimave, si dhe lirimin e afro 2,000 të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Pavarësisht armëpushimit, situata në terren mbetet e tendosur. Izraeli ka kryer disa sulme ajrore së fundmi, duke akuzuar Hamasin për planifikim të sulmeve të reja. Ndërkohë, autoritetet në Gaza raportojnë dhjetëra viktima pas bombardimeve.

Dy vjet pas shpërthimit të konfliktit, Gaza mbetet e shkatërruar, me mbi 68 mijë palestinezë të vrarë sipas autoriteteve lokale, ndërsa 1,200 persona humbën jetën në sulmet e Hamasit më 7 tetor dhe 251 u morën peng.

Egjipti dhe Kryqi i Kuq po vijojnë kërkimet në zonat e rrënuara, ndërsa 11 trupa të pengjeve të vrarë ende rezultojnë të zhdukur. Autoritetet izraelite theksojnë se do të vazhdojnë operacionet derisa të kthehet çdo trup, ndërsa familjet e pengjeve kanë kërkuar transparencë të plotë dhe përshpejtim të procesit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta