Sediljet e mbuluara me gjak dhe njerëz duke bërtitur/ 11 të plagosur nga sulmi me thikë në një tren në Britani, reagojnë kryeministri Starmer dhe Mbreti Charles III
Pentagoni ka raportuar se Korpusi i Marinës së Shteteve të Bashkuara ka zhvilluar ushtrime zbarkimi dhe infiltrimi në Karaibe, në një moment kur prania ushtarake amerikane në rajon po rritet ndjeshëm dhe po shtohen spekulimet për një sulm të mundshëm ndaj Venezuelës.
Në një njoftim zyrtar të publikuar në platformën X (Twitter), Komanda Jugore e SHBA-së konfirmoi se Njësia e 22-të Ekspedicionare Detare kreu “operacione stërvitore në Porto Riko”.
Videoja e shpërndarë nga Pentagoni tregon automjete amfibë që transportojnë trupa dhe pajisje në një mision të mbështetur nga helikopterë ushtarakë, të cilët simulonin manovra zbarkimi në terren.
“Forcat amerikane janë vendosur në Karaibe në mbështetje të misionit të Komandës Jugore, operacioneve të Departamentit të Mbrojtjes dhe prioriteteve të Presidentit të SHBA për të luftuar trafikun e paligjshëm të drogës dhe për të mbrojtur atdheun,” thuhet në deklaratën e Pentagonit.
Ndërkohë, reagimi nga Moska nuk ka munguar. Alexei Zhuravlev, nënkryetari i Komitetit të Mbrojtjes në Dumën Shtetërore të Rusisë, deklaroi se Rusia mund të furnizojë Venezuelën me raketa të reja si Oreshnik apo Kalibr, duke theksuar se nuk ekziston asnjë pengesë ndërkombëtare për një gjë të tillë.
“Nuk shoh asnjë arsye pse të mos furnizojmë një vend mik si Venezuela me raketa moderne. Ajo tashmë ka marrë armë nga Rusia, dhe bashkëpunimi ushtarak mund të zgjerohet,” tha Zhuravlev.
Këto zhvillime po interpretohen si një përshkallëzim i ri i tensioneve midis SHBA-së dhe Rusisë në Amerikën Latine, me Venezuelën që mund të kthehet sërish në një pikë të nxehtë të konfrontimit gjeopolitik.
Top Channel