Panik në SHBA/ Të shtëna në një festë ditëlindjeje në Ohio, plagosen 9 persona

02/11/2025 21:33

Një festë ditëlindjeje e adoleshentëve në një shtëpi të marrë me qira përmes Airbnb u kthye në skenë paniku dhe dhune në Ohio, pasi të shtënat me armë zjarri plagosën nëntë persona në orët e para të mëngjesit të së dielës.

Incidenti ndodhi rreth orës 12:15 pas mesnate në Bath Township, rreth 15 milje larg qytetit të Akronit. Sipas shefit të policisë, Vito Sinopoli, vendngjarja ishte kaotike, me shumë të rinj që tentuan të largoheshin me nxitim, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqeshin të jepnin ndihmën e parë për të plagosurit.

Autoritetet nuk kanë konfirmuar ende nëse të gjithë të plagosurit janë qëlluar me armë. “Një prej personave mund të jetë dëmtuar në këmbë gjatë përpjekjes për t’u larguar,” tha Sinopoli në një konferencë për shtyp.

Sipas raportimeve të mediave lokale, të plagosurit janë të moshës 15 deri në 20 vjeç, dhe shumica ishin nën moshën 18 vjeç. Festa ishte promovuar më parë në rrjete sociale, çka tërhoqi një numër të madh pjesëmarrësish.

Policia theksoi se përdorimi i shtëpive të marra me qira për evente të tilla është i ndaluar në bazë të rregulloreve lokale të zonimit. Deri tani, nuk ka asnjë të arrestuar, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar shkakun e të shtënave dhe numrin e personave që kanë përdorur armë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta