Sediljet e mbuluara me gjak dhe njerëz duke bërtitur/ 11 të plagosur nga sulmi me thikë në një tren në Britani, reagojnë kryeministri Starmer dhe Mbreti Charles III
Pesë ditë pas goditjes së furishme të uraganit “Melissa” në perëndim të Xhamajkës, komunitetet bregdetare vijojnë të jenë të izoluara, me mungesë të ushqimeve, pa energji elektrike e ujë të pijshëm, ndërsa ndihma po mbërrin me shumë vështirësi.
Numri i viktimave ka arritur në 28, një rritje gati 50% brenda natës, me paralajmërimin se bilanci pritet të rritet teksa ekipet e emergjencës hapin rrugët drejt zonave ende të paarritshme.
Stuhia e kategorisë së pestë, me erëra deri në 297 km/h, është cilësuar si më e fuqishmja që ka goditur ishullin në historinë moderne. Dëmet janë katastrofike veçanërisht në parish-et Westmoreland dhe St. Elizabeth, ku deri në 90% e banesave janë shkatërruar.
Rrugë të bllokuara nga pemë të rrëzuara, godina të shembura, automjete të përmbysura dhe radhë të gjatë njerëzish që presin me shpresë ndihmë, kjo është panorama e Xhamajkës sot.
Banorët në Whitehouse, një nga zonat më të goditura, tregojnë se po mbijetojnë pa ushqim e ujë dhe se premtimet për ndihmë ende s’janë konkretizuar.
“Na thanë që do vijnë me ushqime, por nuk shohim askënd,” thotë një banor që humbi shtëpinë.
Shumë të tjerë shprehen të dëshpëruar: “Është e tmerrshme. Ka njerëz pa shpresë, pa ndihmë, pa jetë…”
Rreth 400 mijë persona rezultojnë pa energji elektrike. Autoritetet kanë nisur vendosjen e pajisjeve emergjente për komunikim satelitor, ndërsa qeveria thotë se po punon për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e ndihmave.
Kryeministri Andrew Holness deklaroi se prioritet mbetet rikthimi i shërbimeve bazë, ushqimi dhe ndihma mjekësore, ndërsa pranoi se terreni i vështirë ka ngadalësuar operacionet.
Por për shumë banorë, situata është çështje mbijetese ditë pas dite.
“Uragani na mori gjithçka. Shtëpitë, mjetet e punës, jetën tonë,” thotë një peshkatar, ndërsa shtoi “Por jemi gjallë. Do provojmë të ngrihemi sërish.”
Ndërkohë, ndihmat ndërkombëtare po nisin të mbërrijnë. SHBA, Britania dhe vende të tjera kanë angazhuar fonde dhe ekipe emergjence për të mbështetur Xhamajkën në këtë krizë humanitare.
Shpresa, thonë banorët, është e vetmja gjë që uragani nuk mundi t’ua marrë.
Top Channel