“Le të shohë bota të keqen e vërtetë”, Erika Kirk kërkon kamerat e gjyqit të vrasësit së bashkëshortit së saj, Charlie Kirk

02/11/2025 19:10

Erika Kirk, bashkëshortja e aktivistit të ndjerë amerikan Charlie Kirk, ka kërkuar publikisht që media të lejohet të filmojë gjyqin e personit të akuzuar për vrasjen e tij, duke thënë se e vërteta nuk duhet të fshihet dhe “bota duhet të shohë se çfarë është e keqja e vërtetë”.

Charlie Kirk u vra me armë më 10 shtator, gjatë një aktiviteti të organizatës konservatore Turning Point USA në Utah Valley University. I dyshuari, 22-vjeçari Tyler Robinson, ndodhet në burg dhe po pret gjyqin, ku nëse shpallet fajtor për vrasje me dashje, mund të përballet me dënim me vdekje.

Teksa foli në një intervistë për Fox News, Erika Kirk tha se nuk është dakord me vendimin e gjykatës që të mos lejohen pamje të të pandehurit teksa hyn, del apo qëndron në sallën e gjyqit.

Le të shohë e gjithë bota se çfarë është e keqja e vërtetë. Nuk ka asgjë për të fshehur”, tha ajo me emocione, duke nënvizuar se çdo moment i vrasjes dhe dhimbjes së familjes së saj është dokumentuar nga kamerat, ndaj edhe drejtësia duhet të jetë transparente.

Ajo kujtoi se vrasja e bashkëshortit të saj u regjistrua nga kamerat, ndërsa familja dhe miqtë e tyre janë ekspozuar publikisht në çdo hap të procesit të zisë: “Ne e meritojmë që të ketë kamera aty. Nuk ka asgjë për të fshehur.”

Erika Kirk e përsëriti edhe një herë mesazhin e faljes që dha në ceremoninë madhështore mortore, ku mbi 60 mijë njerëz morën pjesë, duke thënë se burri i saj do të donte që ajo ta falte të dyshuarin për vrasjen e tij.

Gjykata ka vendosur që i pandehuri të shfaqet me veshje civile gjatë gjyqit, por i lidhur me pranga dhe zinxhirë, të cilat nuk do të lejohen të regjistrohen nga kamerat, për të ruajtur prezumimin e pafajësisë para jurisë.

Çështja ka tërhequr vëmendje të gjerë në SHBA, ku debati për transparencën në procese gjyqësore me profil të lartë dhe për trajtimin e të akuzuarve vazhdon të jetë i ndezur.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta