Ish-deputeti i PS, Spartak Braho e kujton me nostalgji rrugën e përbashkët politike me Fatos Nanon, të cilit sot i dha lamtumirën e fundit në Pallatin e Kongreseve.
Në një prononcim për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, ai u shpreh se Nano shkëlqeu si një lider politik, ndërsa foli për periudhën e arrestimit të ish-kryeministrit Nano.
Për Brahon arrestimi i Nanos ishte një ngjarje e hidhur që tregoi fytyrën e Sali Berishës, ndërsa u ndal dhe te PS sot, duke thënë që 95% e atyre që janë pjesë e kësaj partie nuk kanë lidhje me Partinë Socialiste të vërtetë.
Pyetje: Ju keni qenë një ndër bashkëpunëtorët e Fatos Nanos dhe në kohën kur ai u burgos, ju keni qenë avokati i tij, si e kujtoni gjithë këtë kohë?
Braho: Vdekja e Fatosit në këtë moshë relativisht të re na bëri që të kujtojmë shumë momente nga periudha e parë si themelues i PS-së. Ky është pozicioni politik që na lidhi me Fatosin, por me të na lidh dhe një moment tjetër, arrestimi i tij. Një ngjarje jo vetëm e hidhur, por që tregon fytyrën e vërtetë të Sali Berishës edhe në ditë e sotme. Fatosi shkëlqen si udhëheqës politik, natyrisht si drejtues i ekzekutivit pati defekte, por që ne bashkëpunëtorët e tij ia falim. Ajo qe partia e vërtetë socialiste, kjo parti nuk trashëgon asgjë si ajo parti, as si vijë politike dhe ideale, por edhe nuk ka më trashëgimtar të asaj kohe. 95% e atyre që janë sot në PS nuk kanë lidhje me PS dhe kjo është për të ardhur keq. Megjithatë nuk jemi mbledhur për të bërë kritika, por për të qarë Fatos Nanon.
Top Channel