Ish- sekretari për marrëdhëniet me jashtë në PS, Bashkim Zeneli: Nano një dialogues ekselent me ndërkombëtarët

02/11/2025 14:17

Në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu, ish sekretari për marrëdhëniet me jashtë në PS, Bashkim Zeneli, ka shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe liderit historik të Partisë Socialiste, Fatos Nano.

“Çdo ndarje është e dhimbshme. Fatosi iku para kohe në botën tjetër, ashtu siç iku para kohe edhe nga politika aktive, një gjë që nuk duhet të ndodhte. Që nga dita e parë që kemi punuar bashkë në themelimin e partisë e deri në kohën kur ai ishte në krye, prania e tij ka qenë një bekim i madh dhe ne falënderojmë Zotin që na dha një Fatos Nano,” – u shpreh Zeneli.

Ai kujtoi periudhën e vështirë të tranzicionit, duke theksuar se Nano diti të përballonte sfidat dhe të drejtonte me mençuri një parti në një kohë ndryshimesh të mëdha. “Nuk ishte e lehtë, është kollaj të flasim sot për tranzicione e reforma, por ajo periudhë ka qenë shumë e vështirë. Nano në krye të partisë diti të kapërcejë të gjitha sfidat. Ai erdhi zotëri në politikë dhe iku zotëri nga politika.”

Sipas tij, Fatos Nano ishte një personalitet i rrallë që njihte kompromisin, bashkëpunimin dhe tolerancën. “Fatosi në tavolinë ishte brilant, një njeri që njihte kompromisin, gëlltitjen, bashkëpunimin, tolerancën. Largimi i tij nga kjo jetë është një humbje e madhe jo vetëm për Partinë Socialiste, por për gjithë Shqipërinë.”

Ish-ambasadori rrëfeu gjithashtu se gjatë gjithë karrierës diplomatike, nuk kishte dëgjuar kurrë Nanon të fliste keq për opozitën. “Në të gjitha takimet diplomatike që ne kemi pasur, nuk mbaj mend asnjëherë që Fatos Nano të ketë sharë opozitën apo liderët e saj, të jetë ankuar për opozitën, pavarësisht 1000 problemeve që ajo ka pasur në atë kohë. Ai ishte brilant, një njeri i rrallë.”

Në fund, Zeneli kujtoi me mall edhe takimin e fundit me Nanon: “Takimi i fundit ka qenë rreth dy vite më parë, kemi pirë një kafe bashkë. Ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, megjithatë lëvizte, kemi ndenjur pak bashkë. Gjatë kësaj kohe kam komunikuar me zonjën Nano, të cilën e pyesja shpesh për shëndetin e tij.”

Sipas Zenelit, kujtimi dhe trashëgimia politike e Fatos Nanos do të mbeten gjatë në memorien e shqiptarëve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta