Dilte në rrugë i veshur si polic, arrestohet 20-vjeçari në Kamëz/ I sekuestrohen uniforma, grada dhe dokumente të falsifikuara

02/11/2025 15:55

Një 20-vjeçar nga Kamza është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi mbante dhe përdorte padrejtësisht uniformën e Policisë së Shtetit, duke u paraqitur në publik si punonjës policie.

Gjatë një kontrolli në bulevardin “Nënë Tereza”, shërbimet e patrullës së Komisariatit të Policisë Nr. 5 ndaluan një automjet tip “Mercedes-Benz”, drejtuar nga shtetasi E. B., 20 vjeç, i cili ishte i veshur me uniformë dhe stema të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.

Pas verifikimeve, rezultoi se i riu nuk ishte pjesëtar i forcave të rendit, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u zbuluan materiale të shumta që përdoreshin për t’u maskuar si polic:

4 dokumente identifikimi me emra dhe foto të dyshuara të falsifikuara;

1 armë sportive e tipit pistoletë me 2 krehra;

Uniformë e Policisë së Shtetit;

16 stema dhe grada të ndryshme;

3 kapele me shenja policore.

Policia njofton se vijon puna hetimore për të zbuluar nëse 20-vjeçari ka qenë i përfshirë në veprimtari të tjera të paligjshme, përmes përdorimit të këtyre pajisjeve dhe dokumenteve të falsifikuara.

Në përfundim të veprimeve, E. B. u arrestua në flagrancë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta