“Përjetoi përndjekje dhe burgosje, por u rikthye me bindjen për pajtim”, ish-kryeministri grek kujton bisedat me Nanon: Më fliste shpesh për…
Ish-ministri i Brendshëm, Luan Rama, ka reaguar për vdekjen e Fatos Nanos.
Teksa e konsideron një njeri unik, ai shkruan se Nano mori përgjegjësi kur shumë të tjerë që u ftuan para tij nuk guxuan.
“Post mortum: FATOS NANO NUK ËSHTË NJË ISH
Nuk qe e vështirë ta shquaje ndër të tjerët që Fatos Nano ishte ndryshe. U përpoq t’i imponohej kohës së vet, duke ofruar modelin e politikanit kurajoz e largpamës, edhe pse jo gjithmonë ia doli. Mbase qe i vetmi politikan i kohës së përmbysjes, kur të tjerët që u përfshinë në politikë, improvizuan duke e mësuar atë përgjatë rrugës.
Sfidant, por edhe i bindur që kishte zgjedhur të bënte më të vështirën, Fatos Nano mori përgjegjësi kur shumë të tjerë që u ftuan para tij nuk guxuan dhe kur të gjithë donin të largoheshin sa më shpejt nga pushteti.
Ai zgjodhi të jetë në krye jo për karrierizëm, po për qytetari.
Në atë kapërcyell epokash, kur gjithçka që ofrohej ishte zymtësi pa asnjë grimë horizont, Fatos Nano e shpëtoi të majtën, sepse diti të ndërtojë ekipin e besimit dhe ta shndërrojë besimin në shpresë.
Është e pabesueshme se si ia doli të mbajë gati 80 mijë nga anëtarësia e PPSH, duke i motivuar në rrugën e re të ndryshimit, ndërkohë që ishte rreziku që shumësia e tyre t’i kundërviheshin, madje ta shpallnin edhe tradhëtar.
Në krye e bashkë me një grup intelektualësh, nga më të zotët e vendit në profesionet e tyre, ai e shpëtoi të majtën shqiptare, duke instaluar për herë të parë dy mekanizma të vetëdemokratizimit të partisë: fraksionet dhe dorëheqjen.Fatos Nano qeverisi me parti. Për fat të keq, nuk u ndoq si model dhe ndodhi që Shqipëria pas tij gjithnjë e më shumë të qeverisej me klane dhe kasta të qarkullueshme.
Ai bëri “aleancë” me publikun dhe shpartalloi vendimet e mbyllura në parti, duke e kthyer debatin në metodë.
Ndryshimin dhe modernizimin e partisë dhe jetësimin e demokracisë brenda saj, Fatos Nano e shihte si kushtin e parë të rëndësishëm për ndryshimin dhe modernizimin e shoqërisë shqiptare dhe për qeverisjen demokratike të vendit.
Kredoja e tij politike ishte gjithëpërfshirja, ndërsa motoja e qeverisjes ishte: “të lëshojmë pushtet, për të bërë shtet”.
Pa Fatos Nanon, Partia Socialiste nuk do të mund të bëhej ajo që u bë.
Ai këmbënguli dhe nguliti protokollin e shtetit, të nëpërkëmbur përgjatë viteve të përmbysjes; ktheu sjelljen shtetërore në zyrat e përfaqësimit. Ideoi dhe u çeli udhë reformave të mëdha dhe e shtyu ekonominë e vendit në hullitë e tregut të lirë, duke këmbëngulur në respektimin e rregullave dhe parimeve të konkurencës dhe të transparencës.
Ngriti në kult respektin per vlerat e eurosocializmit duke perdorur dijen e fituar dhe te vetëfituar.
Rrezikoi me të gjitha mjetet e dijes: edhe me ironinë, sarkazmën e qesendisjen, por gjithnjë larg banalitetit, me elegancën dhe finesën e një intelektuali të rendit të parë. Fatos Nano ishte unik. Dhe i tillë mbetet. Nuk pati e as ka të ngjashëm. Askush nuk e mbërriti dhe as e tejkaloi dot më pas standardin që ai vendosi.
Ai është si ata rekordmenët e mëdhej në garat e atletikës, rekordet e të cilëve edhe pse kanë kaluar disa dekada, nuk i ka thyer dot askush. Prandaj Fatos Nano nuk është një “ish”. Për të asnjëherë nuk u tha ish-kryetari i Partisë Socialiste, edhe pse pas tij erdhi një kryetar tjetër në krye të saj. Ai qe gjithmonë dhe gjithmonë do të mbetet Kryetari Historik i Partisë Socialiste. Lamtumirë KRYETAR i dashur!”, thuhet në postimin e plotë të ish-ministrit të Brendshëm.
Top Channel