Mbrëmja e së premtes në ekranin e Top Channel rezervon histori të vërteta, të dhimbshme, por edhe gjithë shpresë. Në emisionin “Për Shqiptarët” u tregua përpjekja e Dajmës vetëm 7-ditëshe dhe që ndodhet në spital, e intubuar për shkak të probleme me zemrën.
“Po e mbajnë aktualisht në jetë artificialisht. Unë shkoj rrugëve, gjej cepa e qaj atje. Kurrë në jetën time nuk jam ndjerë më i hidhëruar, më bosh e më keq se këto 6 ditë. Kanë qenë 6 ditë tmerri. Varrit do t’ja tregoj. Në shtëpi nuk më vihet. Nuk mundem. Dal jashtë, e mundohem të gjej cepa ku mund të shfryj. Nuk është e lehtë për një burrë të qajë, ma besoni”, u shpreh gjyshi.
“Kur jam bërë nënë për herë të parë, aty ishte situata më e vështirë e jetës ime. Që nga momenti që lindi, Dajma hyri në inkubator. Ditën e nesërme u dallua që kishte një problem në zemër. Nuk e kam marrë asnjëherë në krahë, për t’i ndierë erën”, tregon nëna.
“Njëra anë mendoja si po shkonte Sara, nga njëra anë ishte vajza. Arritëm në Tiranë me urgjencë. Aty na thanë që vajza ka problem të rëndë në zemër. Për ne ishte fundi jetës aty… Dajma për mua është gjithçka. Unë jetën e rrotulloja rreth saj. Mendoja, të tre ato netë pa gjumë do t’i shijonim derisa vajza të rritej, por jo… ne tani rrimë me telefonin në dorë, me frikën se nga momenti në moment, do të vijë telefonata për të na lajmëruar”, tha babai.
Por u dëgjuan historia e 16-vjeçares Daniela, e cila vuan nga skolioza.
“Çdo ditë mendoja pse Zoti më zgjodhi mua që ta kisha këtë sprovë, por sot e mendoj ndryshe. Mendoj se Zoti i do njerëzit e unë kam qenë një nga ata që Zoti më do. Skolioza më shoqëroi që fëmijë, më bëri të ndjehesha ndryshe nga tjerët. Por sot jam këtu, e drejtë dhe me besim tek vetja. Skolioza nuk më mundi. Të jesh i drejtë pas një kohe aq të gjatë, është si të marrësh frymë lirisht për herë të parë. Kur dola nga operacioni unë isha shumë e lumtur. Se kisha imagjinuar ndonjëherë, por dukej si ëndërr… ëndërr e bukur. Operacioni ishte i vështirë, por sot jam drejt, ndihem si e rilindur. Ajo shenjë që më ka mbetur më pëlqen, është shumë e bukur sepse tregon se ke kaluar diçka”.
Top Channel