Shtrenjtohet bileta Kamëz-Tiranë/ Bashkia e Kamzës vendos rritjen e çmimit pa konsultim dhe pa transparencë

01/11/2025 15:03

Nga sot, 1 nëntor, të gjithë udhëtarët që do të përdorin linjën e transportit publik Kamëz-Tiranë dhe anasjelltas, do duhet të paguajnë më shumë. Bileta e cila deri dje kushtonte 40 lekë, do të rritet në 50 lekë.

Rritje me 10 lekë ka pësuar edhe linja e urbanit Paskuqan-Tiranë, e po ashtu, edhe aboneja mujore, nga 1200, në 1400 lekë. Për banorët e Kamzës, rritja e çmimit është e pajustifikueshme.

“Nuk ka as kushte, dje kur erdhëm poshtë, pavarësisht rritjes së çmimit, mund të kenë qenë në autobus 300 veta”-thotë një qytetar.

Ndërsa pensionistët janë ata më të indinjuarit nga kjo rritje çmimi.

“1o lekë, por shtrenjtë është“; “50 dhe 50, janë shumë, çoj një bukë në shtëpi“, “10 lekë për ne janë shumë”.

Por ka edhe qytetarë indiferent. “Për momentin kemi lekë dhe nuk na intereson”-thotë njëri prej tyre.

Kjo është tabela që njoftoi qytetarët për rritjen e çmimit, ndërsa vendimi është marrë dy muaj më parë nga këshilli bashkiak, ku edhe pse kanë mosmarrëveshje të tjera, anëtarët socialistë dhe ata demokratë kanë gjetur gjuhën e përbashkët.

Në Kamëz operon “Shpresa AL Transport”, e cila mbulon si linjat brenda Kamzës, ashtu edhe ato që e lidhin me Tiranën. Vendimi i datës 27 shtator, është transmetuar live sipas bashkisë, por nuk rezulton në faqen zyrtare në “Facebook”, as nuk është shoqëruar me një njoftim publik për banorët e Kamzës, dhe paraprakisht nuk është hedhur për konsultim publik.

Ne iu drejtuam bashkisë Kamëz, zv.kryetari i së cilës na vuri në dispozicion këto shkresa, mes tyre edhe kërkesën e shoqatës së transportit, e cila argumenton mes të tjerash, se çmimi duhej rritur për shkak të kostove të karburanit, mirëmbajtjes, apo trafikut të rënduar.

Kryetari i bashkisë, z.Rakip Suli, nuk iu përgjigj interesimit të Top Channel, ndërsa në një reagim publik, Bashkia Kamëz sqaron se asnjë nga linjat qytetase brenda territorit të Bashkisë Kamëz nuk preket nga ky vendim, vetëm dy linjat që përshkojnë mbi 8 kilometra

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta