1 nëntori shënon përvjetorin e parë të shembjes së strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në Serbi, i cili nxiti valën e protestave që nuk po fashiten në vend, e që sot marrin hov sërish.
Me mijëra student mbërritën në Novi Sad që mbrëmjen e djeshme për të shënuar këtë ditë, e për të injektuar energji të re për atë që tashmë prej studentëve, protestuesve përshkruhet si “luftë për liri”.
Të rinjtë janë pritur në rrugë nga mijëra qytetarë me pishtarë, fishekzjarrë e brohoritje. Studentët në Beograd u bënë thirrje qytetarëve që nuk mund të jenë sonte në Novi Sad, që të mblidhen në kryeqytet.
Ata pritet të bllokojnë kryqëzimet pranë Fakultetit të Drejtësisë ose Fakultetit të Bujqësisë për të shënuar një vjetorin e vdekjes së 16 vetëve që humbën jetën tragjikisht nga rënia e strehës prej betoni, episode ky që për tubuesit ishte pasojë e korrupsionit që fshihet pas shpërfilljes së rregullave të sigurisë dhe ndërtimit.
Nga protestat në rrugë dhe bllokadat e universiteteve, studentet janë zhvendosur drejt politikës tradicionale – dhe po kërkojnë zgjedhje të reja. Presidenti Aleksandar Vuçiç deri më tani e ka hedhur poshtë këtë, por lë të kuptohet se kjo mund të ndodhë vitin e ardhshëm.
Top Channel