Mashtronin në emër të Postës Shqiptare, vihen në pranga dy kinezë/ Sekuestrohen dhjetëra telefona dhe mjete identifikimi (Emrat)

01/11/2025 13:02
Foto Ilustruese

Dy persona nga Kina janë vënë në pranga, pasi mashtronin qytetarët shqiptarë përmes faqeve të falsifikuara në emër të Postës Shqiptare.

Në kuadër të operacionit “Posta e rremë” u arrestuan shtetasit Cunfeng Fan dhe Haike Yan.

Policia ka sekuestruar 17 telefona, 1 laptop, 12 pasaporta, 11 karta bankare, 7 karta identiteti, 1 patentë dhe shuma parash në valuta të ndryshme.

Hetimet kanë treguar se ata kishin hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë më datë 27 tetor 2025 dhe kishin krijuar një faqe interneti identike me atë të Postës Shqiptare, për të mashtruar qytetarët dhe për të mbledhur të dhëna personale e bankare.

“Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me Drejtorinë Operacionale të Policisë së Shtetit dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas njoftimeve të marra nga qytetarë për dërgimin e SMS-ve mashtruese që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare, me qëllim përfitimin e të dhënave personale dhe bankare të përdoruesve, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Posta e Rreme”, me objektiv identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe teknike, u identifikuan dhe u vunë në pranga shtetasit e huaj C. F., 51 vjeç, dhe H. Y., 45 vjeç.

Vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e mundshëm të autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhëna kompjuterike” dhe “Falsifikimi kompjuterik”.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta