DINAMIKA/ Krimi i rëndë në Selenicë, djali i xhaxhait iu afrua 36-vjeçarit dhe zbrazi armën, disa të shoqëruar në polici
Drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proda, ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e policisë së Korçës, si dhe ka pezulluar drejtorin e hetimeve të krimit në këtë qytet, pas ngjarjes së rëndë të rrëmbimit dhe dhunimit të 32-vjeçarit Ilir Topçiu.
Policia bën me ndije pas hetimeve parapake për këtë ngjarje të rëndë, për të cilën janë arrestuar Alti Nallbati (vëllai i deputetit të PD Bledion Nallbatit), Marsel Buci dhe Trajan Çeliku, ka rezultuar se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.
Njoftimi i policisë:
Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa, për motive të dobëta, u mbajt për disa orë, si dhe ndaj tij u ushtrua dhunë fizike dhe u kanos për jetën, dhe pas një analize të kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.
Për sa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vendosur:
Shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti;
Pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda.
Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Vendor, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional dhe në përputhje me ligjin nga punonjësit e saj, duke marrë masa ndëshkimore bazuar në Ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe në Rregulloren e Policisë.
Top Channel