I mori jetën kolegut, zbulohen detaje të reja nga krimi në Komunën e Parisit/ Autori: Më ngacmonte, thikën…

01/11/2025 13:33

Detaje të reja janë zbuluar nga vrasja e ndodhur pak ditë më parë në Komunën e Parisit, ku Filip Shehu goditi me thikë kamarierin 34-vjeçar, Indrit Ismaillari.

Teksa ai është lënë në burg, zbulohet se ka deklaruar në gjykatë se viktima e ka fyer dhe ngacmuar.

Filip Shehu është shprehur se për vdekjen e kolegut e ka mësuar një ditë më pas, kjo pasi fillimisht e dinte që 34-vjeçari kishte mbetur thjesht i plagosur.

Më parë ai ka deklaruar se konflikti ka qenë i çastit vetëm për punën, por ka shtuar se kanë pasur marrëdhënie konfliktuale të gjata me të.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, mëson se dëshmia bie ndesh me atë që ka thënë stafi tjetër i lokalit. Ata kanë deklaruar se viktima Indrit Ismaillari, nuk ishte një njeri problematik dhe nuk grindej me asnjë njeri.

Viktima prej 5 vitesh ishte pjesë e këtij restoranti, ndërsa autori ishte pjesë e stafit prej disa muajsh.

Nuk kanë pasur debate të ashpra, teksa autori vijon të mbajë të njëjtën dëshmi duke treguar se “ndjehesha i kërcënuar, cënuar, kishim konflikte të vazhdueshme”, por kjo gjë nuk konfirmohet nga stafi i biznesit.

Sa i përket dinamikës së ngjarjes, gjithçka ka nisur për një proshutë. Autori kishte marrë një pjatë me proshutë, të cilën viktima i ka thënë të mos e marrë.

Fillimisht kanë nisur një debat verbal e më pas Filip Shehu ka marrë thikën dhe e ka goditur në qafë, duke i prekur arterien kryesore. Kjo plagë i mori edhe jetën 34-vjeçarit.

Autori, ka qëndruar i qetë duke pritur policinë, ndërkohë që pritet t’i bëhet një ekzaminim psikologjik. Ai ka probleme sociale, prej muajsh jetonte i vetëm dhe kishte probleme me familjen.

34-vjeçari Indrit Ismaillari, kamerier në lokalin në zonën e Komunës së Parisit, ka mbetur viktimë pasi është goditur me thikë nga Filip Shehu, i cili punonte si kuzhinier në këtë biznes.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta