Bashkëjetesë me vdekjen/ Familja në Gaza jeton me bombën në shtëpi, mund të shpërthejë në çdo moment…

01/11/2025 11:53

Nuk ka një vend tjetër se ku të shkojë, e për këtë arsye, një familje në Gaza ka zgjedhur të ndajë shtëpinë me bombën që ka zënë vend aty, e që mund të shpërthejë në çdo moment.

Bomba e madhe e ngulur në mur i ka bërë pjesëtarët e familjes Al-Hatto të jetojnë në frikë dhe pasiguri të vazhdueshme. Ata thonë se e gjetën bombën kur u kthyen në banesën e tyre të dëmtuar rëndë pas shpalljes së fundit të armëpushimit.

Bomba, e tipit Mark 84 (MK-84), është një predhë me rënie të lirë e aftë të rrafshojë blloqe të tëra ndërtesash.

“Shtëpia ime është shkatërruar. Jam i frikësuar sepse kam fëmijë. Mund të shpërthejë në çdo moment dhe të shkatërrojë shtëpinë tonë dhe të gjithë lagjen”, tha pronari i shtëpisë Muin al-Hatto.

Ai arriti të pastronte një pjesë të vogël të katit të sipërm në mënyrë që familja të mund të qëndronte përkohësisht atje, ndërsa kati me bombën është plotësisht i paarritshëm.

Muin ka kontaktuar vazhdimisht shërbimet përkatëse me një kërkesë për të hequr bombën, por deri më tani nuk ka marrë asnjë ndihmë.

“Jam i rraskapitur dhe po më mbaron koha. Po i kërkoj kujtdo që mund të vijë dhe ta largojë këtë bombë. Po jetoj me frikë”, tha ai.

Familja e tij ishte detyruar të ikte disa herë nga bombardimet, por të gjitha vendet ku ata u strehuan, u goditën gjithashtu.

Edhe fqinji i tij Hani al-Safedi paralajmëron se një shpërthim do të kishte pasoja katastrofike. Nëse shpërthen, e gjithë zona bëhet rrafsh me token thotë ai për bombën e kthyer tashmë në simbolin e dëshpërimit të banorëve të Gazës, për të cilët normaliteti duket një ëndërr e largët.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta