 
																		Mbledhja e parashikuar në orën 12:00 e grupit parlamentar demokrat nisi rreth 31 minuta me vonesë dhe arsyeja duket se ka qenë pikërisht seanca që po zhvillohej në Gjykatën Kushtetuese.
Duke folur para deputetëve, Berisha iu referua edhe fjalës së ish-kryebashkiakut për një precedent që ai citoi në Kushtetuese për rrëmbimin e një kryetari bashkie në Kolumbi.
“Por, por një gjë i tha publikut sot Erion Veliaj. Çfarë i tha? Kaq vite më parë, në X qytet të Kolumbisë, FARC-u rrëmbeu kryetarin e bashkisë. Ai bëri paralelizëm që FARC-u më rrëmbeu edhe mua në Bashkinë e Tiranës. Por, po të kemi parasysh procedurat ligjore të një vendi demokratik, ne nuk mund të themi se ato nuk u shkelën tërësisht njëlloj si ato të FARC-ut. Të themi të vërtetat. Ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim arrestimin e tij, dënimin, etj, por prapë duhet të jemi të drejtë”, tha Berisha.
Sipas tij “pse kjo ngjashmëri me FARC-un? Gjykatëses i thotë se fakti që jam këtu dhe më thirrët është shembull i ligjit, më njohët një të drejtë ligjore, por në Këshillin Bashkiak bënë 9 vendime brenda ditës. U bënë 9 vendime brenda ditës, imagjinoni, se si të lani duart me mua, dhe u lumtë këshilltarëve tanë, që ndonëse kishin një armik përballë, por në çdo rast të drejtat e njeriut janë më thelbësoret. Kërkuan me insistim që ai të dëgjohet në sallën e këshillit. Pse i solla këto dy shembuj? Jo, aspak se ai është as i penduar, as i pafajshëm. Jo, jo. Por prapë në një vend demokratik, procedura është themelore. Është përcaktuese për të drejtat e njeriut, për shtetin ligjor, për të gjitha”.
FARC është organizatë guerile marksiste-leniniste e krijuar në vitin 1964 në Kolumbi. Fillimisht u formua si grup rebel që thoshte se luftonte për të drejtat e fermerëve dhe kundër pabarazisë ekonomike. Me kalimin e viteve u përfshi në trafik droge, rrëmbime për shpërblim, dhe sulme të dhunshme, prandaj shumë shtete, përfshirë SHBA dhe BE, e kanë cilësuar si grup terrorist.
Top Channel