Analiza nga DW: Putin dhe propaganda me raketën me energji bërthamore

31/10/2025 08:30

Presidenti rus Vladimir Putin po mburret me raketën e re me energji bërthamore “Burevestnik” – një “shpikje unike” me një “rreze veprimi të pakufizuar”. Çfarë dihet në të vërtetë për këtë armë?

Rusia testoi së fundmi një raketë me energji bërthamore, Burevestnik, por ekspertët mbeten skeptikë në lidhje me gatishmërinë e saj operacionale dhe aspektet e sigurisë.

Testi i raketës Burevestnik, të cilën Kremlini e ka paraqitur si një përparim të madh teknologjik, ka tërhequr vëmendjen për shkak të pretendimeve për rrezen e saj të pakufizuar të veprimit dhe mbushjen bërthamore. Një video e publikuar më 26 tetor tregon Presidentin Vladimir Putin dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov me uniforma ushtarake kamuflazh duke diskutuar testin e kryer nga arkipelagu Novaya Zemlya.

Karakteristikat kryesore të raketës Burevestnik

Një sistem shtytës bërthamor në vend të një motori konvencional i lejon asaj të fluturojë më shumë se 14,000 km.

Ajo mund të mbajë koka luftarake konvencionale ose bërthamore.

Është përcaktuar nga NATO si SSC-X-9 Skyfall.

Putin me krerët e ushtrisëFotografi: Kremlin Press Office/TASS/picture alliance
Gjatë testit, raketa ishte në ajër për 15 orë, duke kryer manovra komplekse.

Skepticizmi i ekspertëve

Ndërsa Putini pretendon se testet kryesore kanë përfunduar, profesori Karl Massala me bazë në Mynih thekson se nga 14 testet e njohura, vetëm tre ishin të suksesshme, ndërsa 11 dështuan. Nico Lange i Konferencës së Sigurisë së Mynihut beson se qëllimi i testeve është më shumë politik sesa ushtarak – për të theksuar fjalën “bërthamore”.

Konteksti gjeopolitik

Testi u njoftua menjëherë pas stërvitjes “Steadfast Noon” të NATO-s dhe në një kohë kur SHBA-të, nën Presidentin Donald Trump, po shtrëngojnë sanksionet ndaj Rusisë. Trump e quajti testin “të papërshtatshëm” dhe i bëri thirrje Rusisë të përfundojë luftën në Ukrainë. Kremlini u përgjigj se ai u udhëhoq vetëm nga interesat kombëtare.

Sfidat dhe rreziqet e sigurisë
Raketa fluturon më ngadalë se shpejtësia e zërit, gjë që e bën atë të dallueshme dhe potencialisht mund të rrëzohet.

Edhe pse mund të manovrojë dhe të anashkalojë sistemet mbrojtëse, ajo nuk është e pamposhtur, argumentojnë ekspertë si Jeffery Lewis dhe Pavel Podvig.

Rreziku më i madh është një aksident i mundshëm i rrëzimit, si ai në vitin 2019 kur një shpërthim në Detin e Bardhë vrau pesë punonjës të Rosatom dhe shkaktoi rrezatim lokal.

Aspekti teknologjik

Një sistem shtytës bërthamor funksionon në mënyrë të ngjashme me një motor reaktiv, por përdor një reaktor bërthamor për të gjeneruar shtytje. Projekte të ngjashme ekzistonin në SHBA (Projekti Pluto) dhe BRSS (Tu-119), por u braktisën për shkak të sfidave teknike dhe të sigurisë.

Pavarësisht pretendimeve për sukses, Burevestnik mbetet një projekt i diskutueshëm – më shumë një simbol i një mesazhi politik sesa provë e superioritetit ushtarak. /dq

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta