 
																		 
								
			Në një botë ku gjithçka promovohet me slogane, Shqipëria zgjodhi të flasë ndryshe përmes tingujve, hapësirave dhe historive që tregojnë se kush jemi dhe si po ndryshojmë.
Në Future Hospitality Summit 2025, që po zhvillohet në Dubai, Shqipëria u dallua me pavijonin e saj të dedikuar “Soundscapes of Albania”, përgatitur nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT), në bashkëpunim me Studio Precht.
Pavijoni është vlerësuar si një nga më të bukurit dhe më origjinalët mes mbi 50 vendeve pjesëmarrëse, duke shfaqur Shqipërinë përmes historisë, kulturës, destinacioneve turistike dhe projekteve arkitekturore.
Nga tingujt e lumenjve, cicërimave të zogjve dhe muzikës shqiptare tradicionale e bashkëkohore, Shqipëria po prezantohet nëpërmjet pavionit si një kompozim i gjallë i natyrës, kulturës, arkitekturës dhe historisë që mbart.
Në këtë samit, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi vizionin për transformimin e turizmit shqiptar nga sezonal në gjithëvjetor, duke e vendosur vendin tonë si një destinacion të qëndrueshëm dhe të hapur për investime cilësore.
“Shqipëria po kthehet në një destinacion dymbëdhjetëmujor nga gastronomia te kultura, nga mirëqenia te natyra duke u bërë një histori suksesi që po shkruhet me partnerë e miq nga mbarë bota”, shprehet Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës Dhe Inovacionit.
Nga pavijoni “Soundscapes of Albania” ku Shqipëria po prezantohet si një histori suksesi, I drejtohet një ftesë gjithsecilit vizitor e partner që duan të bëhen pjesë e së ardhmes turistike shqiptare.
Top Channel