 E PLOTË/ “Zoti i faltë bashkëpunëtorët e mi”, Veliaj flet në Kushtetuese: U shkarkova se nuk u paraqita në punë, fyerje më të rëndë nga kjo nuk ka
																		
					
					
					
						E PLOTË/ “Zoti i faltë bashkëpunëtorët e mi”, Veliaj flet në Kushtetuese: U shkarkova se nuk u paraqita në punë, fyerje më të rëndë nga kjo nuk ka						Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi iu përgjigj nga foltorja e Parlamentit kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e tij, më pak se dy muaj nga marrja e postit.
Peleshi tha se nuk është ai problemi, por mocioni i opozitës është një përpjekje për ta kthyer Kuvendin pas në kohë.
“Vetëm në dy seancat e fundit maxhoranca ka folur 291 minuta, kundër 480 minuta të opozitës. Shkaku që na ka sjellë në këtë procedurë është fryma përçarëse, nga e cila nuk heqin dot dorë. Problemi nuk jam, unë mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje të re politike. Kultura që shpesh kultivohet këtu vret shpresat e të rinjve, vret optimizmin. Kjo kulturë e urrejtjes këtu ka pjesën e vet edhe në dhunën në shoqëri. Parlamenti i formëson shoqërinë. Çdo fjalë e shqiptuar në këtë sallë, jehon përtej këtyre mureve. Kur merremi me sulme denigruese, personale, ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse i kthejmë në normë shoqërore këto sjellje”, tha Peleshi.
“E kemi transformuar Parlamentin në një arenë lufte. Reagimi juaj me këtë mocion është përpjekja për ta vendosur kryetarin e Kuvendit në presionin e të shkuarës. Do të bëj gjithçka që kam në dorë që ky Parlament, ti ngjasojë një Parlamenti të BE-së. Atë që nuk ia kam lejuar vetes në gjithë jetën time politike dhe që përkon edhe me frymën e kodit të sjelljes, nuk kam se si ta lejoj për të tjerët. Nga kjo foltore nuk kam sulmuar personalisht askënd. Nuk kam shkelur mbi personalitetin e askujt”.
Fjala e Plotë:
Para pak javësh ndodhi një ngjarje e rëndë. Një gjyqtar u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit. Nga ai moment e në vazhdim u shfaq një ngjarje akoma më e rëndë, në rrjete sociale pati një numër jo të vogël reagimesh që u solidarizuan me autorin e krimit.
Mbase tani dikush pyet: ç’lidhje ka kjo me këtë procedurë shkarkimi të Kryetarit të Kuvendit?
Bëni pak durim.
Unë do t’i përgjigjem shkakut të vërtetë të kësaj procedure dhe jo pasojës.
Shkaku i vërtetë, nuk jam unë.
Nuk është favorizimi i një krahu kundër një krahu tjetër.
Mazhoranca ka folur 291 minuta kundrejt 439 minutave të opozitës (pra 60% të kohës).
Shkaku që na ka sjellë në këtë procedurë është fryma antagoniste dhe përçarëse nga e cila nuk heqim dot dorë.
Nuk është shkelja e rregullores apo e Kushtetutës.
Ajo është vetëm etiketa e përdorur qëllimisht gabim.
Sepse rregullorja nuk të lejon të fyesh, të shash, të akuzosh, të bllokosh foltoren, të pengosh fjalën e deputetëve të tjerë, apo të vendosësh të mos zbatosh masat disiplinore.
Po Kushtetuta?
Pak gjasa ka të shqetësohesh për Kushtetutën e Republikës, ta respektosh e ta lexosh me kujdes atë, nëse je gati ta flakësh në ajër e madje ta përdorësh librin e Kushtetutës si gur mbi kokën e kundërshtarit politik.
Problemi nuk jam unë, por mungesa e vullnetit për t’u angazhuar në një sjellje të re politike.
Në respektim real, jo fals, të Kushtetutës, rregullores dhe traditës parlamentare.
Kushtetuta, rregullorja apo tradita parlamentare garantojnë të drejtat e deputetit, por gjithashtu ndalojnë keqpërdorimin e të drejtës.
Keqpërdorimi i të drejtës duhet të jetë vija e kuqe ku mbaron e drejta jonë për të folur e për t’u dëgjuar.
Nëse do të biem dakord për këtë, ashtu siç na detyron në fakt Kushtetuta dhe rregullorja – germa dhe fryma, ambicia dhe standardi europian i parlamentarizmit – atëherë nuk do të përballemi më me situata të shëmtuara që pamundësojnë zhvillimin e seancës.
Por mesa duket nuk është kaq e thjeshtë.
Në këtë mocion për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit na ka sjellë rezistenca për të mos lejuar askënd, në pozicionin që unë kam nderin të mbaj sot, të guxojë të ndryshojë këtë sallë nga arenë dhune verbale në arenë të mendimeve alternative dhe politikës konstruktive.
Apo të shkurajojë personalizmin e diskursit politik, si pjesë e kulturës nga e cila duhet të ndahemi.
Ndaj le ta veshim këtë sallë, ku edhe unë bëj pjesë prej vitesh tashmë, me përgjegjësitë e vërteta dhe shpesh të pathëna.
Kjo kulturë që kultivohet këtu, vret.
Vret shpresat e të rinjve.
Vret besimin tek e nesërmja.
Vret optimizmin.
E sado e rëndë që mund të tingëllojë për veshët tanë, unë do ta them:
Kjo kulturë e urrejtjes këtu ka pjesën e vet edhe në dhunën në shoqëri!
Duhet të përballemi me këtë të vërtetë të pakëndshme: Parlamenti nuk pasqyron thjesht shoqërinë; ai e formëson atë.
Çdo fjalë e shqiptuar në këtë sallë jehon përtej këtyre mureve.
Kur qytetarët ndezin televizorin ose shfletojnë telefonin, na shohin ne, përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, të angazhuar në diskurs politik.
Pavarësisht nëse e pranojmë apo jo, qoftë për mirë apo për keq, ne po u mësojmë atyre se si funksionon demokracia,
si duhet të sillemi kur nuk merremi vesh,
si duhet të reagojmë kur mendojmë se na shkelet e drejta.
Kur merremi me sulme denigruese personale, kur bërtasim kundër njëri-tjetrit, kur i trajtojmë kundërshtarët si armiq në vend që t’i shohim si shërbëtorë të përbashkët të të mirës publike, ne e kthejmë në normë këto sjellje.
Ne u themi zgjedhësve tanë se kjo është mënyra se si duhet të veproni kur nuk ju pëlqen mendimi apo vendimi i tjetrit.
Degradimi i diskursit parlamentar krijon efekt kaskadë në të gjithë shoqërinë.
Kur përdorim gjuhë nxitëse, ajo bëhet fjalori i argumenteve të tryezës së darkës dhe komenteve në rrjetet sociale.
Kur i demonizojmë ata që kanë pikëpamje të ndryshme, ne u japim leje fqinjëve të shohin njëri-tjetrin me armiqësi.
Kur manipulojmë me gjysmë të vërteta apo shpifje, ne gërryejmë themelin e përbashkët të fakteve mbi të cilin duhet të qëndrojë debati publik.
Incidenca në rritje e gjuhës së urrejtjes, polarizimi në rritje brenda komuniteteve, vullneti në rënie për t’u angazhuar në dialog përtej ndarjeve politike janë fenomene që nuk dalin në vakum.
Ato lulëzojnë në tokën që ne kemi ushqyer me shembullin tonë.
E kemi transformuar parlamentin nga një forum demokratik në një arenë lufte.
Seancat që kanë degraduar në përplasje fizike, hedhje sendesh dhe fjalësh kundër njëri-tjetrit, janë në fakt dëshmi të paaftësisë sonë për t’u shkëputur nga kjo kulturë.
Reagimi juaj me këtë mocion është asgjë më shumë se sa përpjekje për ta vendosur Kryetarin e Kuvendit nën presionin e së shkuarës.
Pra, të vazhdimit të vazhdimit.
Unë ju falënderoj që ma jepni mundësinë ta sqaroj edhe njëherë:
Unë do të përpiqem dhe do të bëj gjithçka kam në dorë që ky Parlament t’i ngjasojë gjithnjë e më tepër një parlamenti europian.
Natyrisht, jo i vetëm, por me të gjithë ata deputetë, të vjetër apo të rinj, nga të gjitha krahët e politikës, që e kanë vullnetin për të parë drejt të ardhmes së Shqipërisë në BE.
Ate që nuk ia kam lejuar vetes në gjithë jetën time politike, dhe që përkon edhe me frymën dhe germën e rregullores dhe kodit tonë të sjelljes, të mbetur në letër, unë, brenda të drejtës sime ligjore dhe legjitime, nuk kam si ta lejoj për të tjerët.
Në jetën time politike unë nuk kam denigruar askënd.
Nga kjo foltore nuk kam sulmuar personalisht askënd.
Nuk kam fyer, nuk kam shpifur, nuk kam përmendur emra familjarësh apo individësh, nuk kam shkelur mbi personalitetin e askujt.
Dhe, e dini?
Kam drejtuar 13 fushata politike dhe kam fituar 13 herë.
Nëse kërkoni një lloj tjetër personaliteti, ky nuk jam unë dhe sot keni mundësinë të votoni pro shkarkimit.
Përtej modestisë, unë mendoj se kur kjo sjellje politike, pa sulme personale, të mos quhet dobësi, por të kthehet në normë, atëherë ne do të kemi bërë edhe një hap tjetër drejt Europës.
Etika e debatit kërkon që ne të angazhohemi me argumente të forta, jo me karikatura të dobëta.
Etika na kërkon të modelojmë përulësi intelektuale, pra pranimin që edhe mund të jemi gabim, që edhe mund të mësojmë nga ata me të cilët nuk biem dakord.
Gjuha nuk është neutrale.
Fjalët mund të ndriçojnë ose të errësojnë, të bashkojnë ose të ndajnë, të shërojnë ose të vrasin.
“Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen,” thotë populli.
Kur ne vendosim gjuhën politike si armë, duke folur për kolegët tanë si “armiq”, ne kontribuojmë në një kulturë politike në të cilën dhuna, qoftë retorike apo fizike, bëhet opsion.
Në rastin më të keq, kultura që kemi lejuar të zhvillohet i kthen diferencat politike në kërcënim ekzistencial.
Qytetarët fillojnë t’i shohin ata që votojnë ndryshe jo si fqinjë me prioritete të ndryshme, por si armiq që duhen mundur me çdo mjet të nevojshëm.
Kur institucione të respektuara si Parlamenti modelojnë retorikë përçarëse dhe armiqësore, këto tendenca përshpejtohen.
E si mund të mbijetojë demokracia kur qytetarët e shohin gjysmën tjetër të bashkëqytetarëve të tyre si pjesëmarrës të paligjshëm në jetën demokratike?
E megjithatë, ky është pikërisht botëkuptimi që ne kultivojmë kur angazhohemi në retorikë ndarëse dhe kur e trajtojmë kompromisin dhe konsensusin si tradhti.
Ne nuk mund të vazhdojmë në rrugën ku jemi, duke kontribuar në polarizimin dhe fragmentimin e shoqërisë sonë.
Duhet të njohim përgjegjësinë dhe mundësinë tonë unike për të modeluar një shoqëri më të mirë.
Demokracia e fuqishme kërkon debat të fuqishëm. Por fuqia nuk duhet të përmbajë dhunë. Opozitarizmi nuk duhet të përjashtojë respektin. Devotshmëria ndaj partisë nuk duhet të matet me aftësinë për sulme personale.
Ne mund të mos biem dakord me forcë, ndërkohë që pranojmë angazhimin tonë të përbashkët ndaj vlerave demokratike.
Ne mund të kritikojmë ashpër politikat apo projektligjet, ndërkohë që tregojmë mirësjellje ndaj atyre që i propozojnë ato.
Ne mund t’i mbajmë të forta bindjet tona, ndërkohë që mbetemi të hapur për t’u bindur nga dëshmitë dhe argumentet.
Askush nuk humbi politikisht nga seanca e fundit:
Opozita mori kohën që i takon, çdo deputet, pavarësisht partisë që përfaqëson, pati mundësi të flasë në çdo pikë të rendit të ditës.
Institucionet e pavarura patën mundësi të raportojnë e t’u përgjigjen pyetjeve.
Deputetët patën mundësi të bëjnë komentet e tyre mbi përgjigjet.
Pra, një hapësirë normale politike e demokracie.
Unë ju ftoj të krijojmë së bashku pikërisht këtë mjedis normal, ku debati politik zhvillohet në normalitet dhe në liri të plotë fjale e veprimi politik, për sa kohë që nuk shkel në lirinë e tjetrit.
Unë bëj thirrje sot për një ndryshim themelor në kulturën parlamentare, një ndryshim që njeh rolin tonë si shembull demokratik dhe pranon peshën tonë në çdo përgjegjësi.
Top Channel