Grabitja spektakolare e Luvrit/ Arrestohen pesë të dyshuar, ende asnjë shenjë të bizhuterive

30/10/2025 10:52

Pesë persona të tjerë janë vënë në pranga për grabitjen e xhevahireve nga muzeu i Luvrit, duke e çuar në shtatë numrin total të të arrestuarve për këtë ngjarje që tronditi Francën dhe opinionin botëror.

Sipas prokurores së Parisit, Laure Beccuau, njëri prej të arrestuarve të rinj dyshohet të ketë qenë pjesë e bandës prej katër personash që realizoi grabitjen, duke u maskuar si punëtorë ndërtimi dhe duke hyrë në muze për të marrë bizhuteritë historike të epokës së Napoleonit.

Autoritetet konfirmojnë se pas 11 ditësh kërkime, janë kapur tre nga katër autorët e dyshuar të grabitjes, por thesaret me vlerë mbi 100 milionë dollarë nuk janë gjetur ende. Ekspertët dyshojnë se bizhuteritë, mes tyre një gjerdan smeraldi me mbi 1,000 diamante që Napoleoni i dhuroi bashkëshortes së tij të dytë, mund të jenë çmontuar për t’u shitur si lëndë të para.

Arrestimet e fundit u kryen në Paris dhe në zonën përreth, përfshirë Seine-Saint-Denis. Dy të parët u prangosën fundjavën e kaluar, me një prej tyre që tentoi të arratisej drejt Algjerisë nga aeroporti Charles de Gaulle. Të dy kanë pranuar pjesërisht përfshirjen, pas 96 orësh marrje në pyetje.

I dyshuari i parë është 34 vjeç, shtetas algjerian, i identifikuar përmes ADN-së në një skuter të përdorur gjatë grabitjes. I dyshuari i dytë, 39 vjeç nga Aubervilliers, ishte i njohur më parë për vjedhje dhe u identifikua përmes gjurmëve të ADN-së në xhamin e thyer të vitrines. Policia nuk ka dhënë ende detaje për pesë të arrestuarit e tjerë.

Grabitja ka nxitur debat të fortë për sigurinë në muzeun më të vizituar në Francë. Drejtori i Luvrit, Laurence des Cars, pranoi në Senatin francez se zona e hyrjes ku u futën hajdutët nuk ishte e mbuluar nga kamerat e sigurisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta