“Gjermania heq dyshtetësinë”, CDU/CSU: Revokim të pasaportës atyre që kërcënojnë vlerat kushtetuese

30/10/2025 17:48

Kanë ngjallur shqetësim thirrjet e unionit gjerman CDU/CSU për reformimin e ligjit të nënshtetësisë dhe kufizime mbi shtetësinë e dyfishtë, që shkojnë deri aty sa të apelojnë deri për revokimin e pasaportave të atyre që kërcënojnë vlerat kushtetuese të Gjermanisë.

Disa politikanë të partive të CDU/CSU, shkruajnë mediat në Berlin, kanë vënë në pikëpyetje shtetësinë e dyfishtë për personat që marrin shtetësinë gjermane.

“Ne si vend duhet të pyesim veten nëse ende duam nënshtetësi të dyfishtë universale dhe nëse ende mund ta përballojmë atë,” deklaroi për gazetën “Bild” deputeti i CSU, Stefan Mayer.

Sipas tij, një “reformë themelore e ligjit të shtetësisë” është e nevojshme. Politikani kërkoi gjithashtu që “kriminelëve, armiqve të kushtetutës, antisemitëve dhe urrejtësve të gjermanëve” t’u hiqet nënshtetësia nëse kanë dy pasaporta.

Ne nuk mund t’u japim njerëzve privilegjin e nënshtetësisë dhe pastaj ata të shkelin mbi vlerat tona dhe mbi ne”, theksoi Mayer.

“Shtetësia e dyfishtë duhet të jetë përjashtim, jo ​​rregull”, deklaroi për gazetën Bild edhe politikania e CDU-së, Cornell Babendererde. Në vitin 2024, rreth 292,000 persona morën shtetësinë gjermane, apo 46 përqind më shumë se një vit më parë, që është një rekord i ri. Një në katër prej tyre janë me origjinë nga Siria.

Për ndryshimin e këtij ligji kërkohet shumica e votave të partive në pushtet. Por Partia Socialdemokrate i ka kundërshtuar deri tani kërkesat për heqjen e dyshtetësisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta