Çështjes “Nayara” i bashkohet edhe Tirana, por pa dyshim dhe pa kërkesë, thjesht mirëpret vendimin ndaj “shkelësve të rregullave të lojës”

30/10/2025 18:41

Në mes të vorbullës së krijuar për sportisten braziliane të Dinamos, ku Federata Shqiptare e Volejbollit i ka kërkuar një test gjinie të cilin ajo e ka refuzuar e më pas është pezulluar, vjen një reagim edhe nga Klubi Tirana.

Historia filloi pas kërkesës së Pogradecit që kishte ngritur dyshimet në lidhje me sportisten sëbashku me Vllazninë, ndërkohë që edhe Partizani në asamble kishte kërkuar një gjë të ngjashme. Por nga keqkuptimet dhe rrjedha jo normale e historisë, Federata e Volejbollit në deklaratën e fundit theksoi transparencën dhe përmbushjen e detyrimit të sportistes ndaj kërkesës së klubeve ndaj saj, pra një kërkesë që vinte nga jashtë federatës.

Kjo shmangie u pasua me reagimin e drejtorit të klubit të Pogradecit i cili theksoi se nuk kishin kërkuar test gjinie, por test hormonal dhe përshtatshmërie. Dhe mes kësaj zallamahie mes institucionit dhe klubeve, Tirana i bashkangjitet situatës, në emër të respektimit të parimeve “fair-play”. Më poshtë është komunikata për shtyp e Klubit Tiranës.

KOMUNIKIM ZYRTAR

Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit, Klubi Sportiv Tirana deklaron se do të mirëpresë çdo vendim të organeve përkatëse që garanton transparencë, barazi në garë dhe respektim të parimeve të fair play-t.

FSHV, si organizatore, ka përgjegjësinë të sigurojë zhvillimin e kampionatit në përputhje me rregulloret dhe standardet e organeve ndërkombëtare (FIVB, CEV) dhe atyre kombëtare (FSHV), si dhe që çdo pjesëmarrës të trajtohet në mënyrë të barabartë.

Ne mirëpresim çdo vendim që synon të mbrojë integritetin e garës dhe të shmangë çdo lloj keqkuptimi, me kusht që këto masa të zbatohen njësoj për të gjitha klubet dhe sportistët, vendas apo të huaj, pa paragjykim dhe pa cenuar të drejtat e asnjërës palë.

Vetëm përmes dialogut, respektit institucional dhe zbatimit të rregullave të njëjta për të gjithë, mund të kontribuojmë që volejbolli të vazhdojë të rritet në cilësi dhe imazh edhe në vendin tonë.

Kujtojmë që situata e krijuar fillon me kërkesën e Pogradecit më 6 tetor, dhe më pas bashkangjitet edhe Vllaznia, ndërkohë që sot më 30 tetor Tirana i bashkangjitet edhe klubi bardheblu “kaosit”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta