Erdhi edhe dita e ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, për t’u pyetur nga SPAK për 21 janarin, demonstratën me katër të vrarë.

Në orën 16:08, Lulzim Basha kaloi i vetëm pragun e Prokurorisë së Posaçme, më shumë se një vit pas regjistrimit të hetimeve, të rihapura me urdhër të Gjykatës së Lartë dhe që po zhvillohen për shpërdorim detyre, vrasje në rrethana cilësuese dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Pas pyetjes së një sërë ish-zyrtarësh të policisë dhe të Gardës, me në krye ish-komandantin Ndrea Prendi, Basha u pyet në cilësinë e deklaruesit, ndërsa është në listën e të kallëzuarve nga familja e Aleks Nikës. Ndërsa të denoncuar janë edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-shefi i Gardës, për të cilët familja e të ndjerit ka kërkuar që të hetohen.

Më 21 janar 2011, u vranë në bulevard protestuesit Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Por drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre, të Myrtajt dhe Veizit, duke dënuar Prendin dhe Agim Llupon.

Ndërkohë ende nuk dihet kush qëlloi mbi Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën, ndonëse dosja për një kohë të gjatë u mbajt nën hetim nga Prokuroria e Tiranës. Familjarët e Nikës fituan në Strasburg, me vendimin se shteti kishte dështuar ta hetonte protestën e përgjakshme, që nga momenti i nisjes e deri në fund. Për këtë arsye, ata kërkuan që 21 janarin ta hetojë SPAK.

Një çështje që po hetohet nga prokurori i posaçëm, Alfred Shehu.

Basha: Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim.

– Për 21 janarin?

Basha: Informacionin se për cilën çështje ju lus ta merrni te institucioni se duhet të respektoj sekretin hetimor.

-A ka pasur urdhër më 21 janar për të qëlluar?

Basha: Kjo ishte gjithçka që kisha për të deklaruar për këtë çështje, për të tjerat me siguri ju ka marrë malli për konferencë për shtyp por duhet të prisni dhe pak. Mirupafshim

-Shfaqesh pas shumë kohësh po tani në dyert e drejtësisë

Basha: Konferencë për shtyp herë tjetër.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta