Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, zhvilloi një tryezë pune me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë dhe drejtues të kompanive të sigurimeve, me fokus zbatimin në praktikë të ligjit të ri nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Në fjalën e tij, Komisioneri Besnik Dervishi, vlerësoi rolin e sektorit të sigurimeve si një ndër sektorët kryesor në përpunimin e të dhënave personale.
Komisioneri u bëri apel përfaqësuesve të kompanive të sigurimit që ta shohin Zyrën e Komisionerit si partner në këtë proces dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e ligjit, duke garantuar se Zyra do t’i mbështesë me trajnime, orientime dhe udhëzime praktike për përputhshmërinë me standardet e reja.
Ai shtoi se, Zyra e Komisionerit ka monitoruar ndër vite mënyrën e përpunimit të të dhënave në sektorin e sigurimeve dhe ka dhënë rekomandime konkrete për përmirësimin e masave të sigurisë së informacionit dhe të transparencës ndaj qytetarëve.
Nga ana e tij, Kryetari i Asamblesë së Anëtarëve të Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë, Xhevdet Kopani, përgëzoi në emër të shoqërive Zyrën e Komisionerit për nismën dhe nënvizoi angazhimin e kompanive të sigurimeve për përputhjen me ligjin e ri.
“Kompanitë kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të garantuar zbatimin e ligjit, përfshirë rishikimin e politikave të privatësisë, përditësimin e dokumenteve të brendshme dhe do të vijojmë me ndjekjen e programeve për trajnimin e stafit– u shpreh Kopani.
Në vijim të tryezës, Besa Velaj, përfaqësuese e Zyrës së Komisionerit, prezantoi risitë kryesore të ligjit të ri, duke theksuar ndryshimet në detyrimet e kontrolluesve dhe përpunuesve, transparencën ndaj subjekteve të të dhënave dhe rolin e Nëpunësit për Mbrojtjen e të Dhënave (DPO).
Nga pjesëmarrësit u diskutua hartimi i dokumenteve të unifikuar për sektorin deri në një Kod Sjellje për shoqëritë e sigurimit.
Zyra e Komisionerit do të vijojë organizimin e tryezave të ngjashme me sektorë të tjerë të rëndësishëm.
Top Channel