Uragani Melissa i afrohet Kubës me erëra deri në 210 km/orë, Xhamajka numëron plagët e stuhisë

29/10/2025 07:32

Uragani Melissa, pasi shkatërroi Xhamajkën, po i afrohet juglindjes së Kubës me erëra të fuqishme që arrijnë deri në 210 km/orë.

Sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve të SHBA-së (NHC), stuhia po forcohet përsëri dhe pritet të arrijë në tokë në orët e ardhshme si një uragan jashtëzakonisht i rrezikshëm i kategorisë 4.

Syri i stuhisë ndodhet rreth 180 km në jugperëndim të Guantanamos, duke lëvizur në drejtim verilindor me shpejtësi 14 km/orë. Bërthama pritet të kalojë skajin lindor të Kubës gjatë natës, ndërsa më pas do të përfshijë Bahamasin juglindor dhe qendror ditën e mërkurë.

Xhamajka në gjendje katastrofe

Ndërkohë, Xhamajka ka nisur të numërojë plagët pas kalimit të Melissës, që e goditi ishullin si një stuhi e kategorisë 5, më e fuqishmja që ka prekur ndonjëherë drejtpërdrejt vendin.
Autoritetet xhamajkane kanë shpallur gjendje katastrofe, pasi infrastruktura është “kompromentuar seriozisht”.

Kryeministri Andrew Holness deklaroi se prioriteti kryesor i qeverisë është siguria dhe mirëqenia e qytetarëve, duke theksuar se qeveria po punon për të ruajtur stabilitetin dhe për të parandaluar abuzimet në shpërndarjen e furnizimeve bazë.

Sipas autoriteteve, më shumë se 530,000 banorë mbeten pa energji elektrike – rreth 77% e klientëve të rrjetit kombëtar – ndërsa 15,000 persona janë strehuar në kampe dhe shkolla në të gjithë vendin.
Në disa zona, përmbytjet kanë arritur në nivele të rrezikshme dhe shumë rrugë janë bllokuar nga rrëzimi i pemëve dhe rrëshqitjet e dheut.

Pamje dramatike nga terreni

Një video e publikuar nga policia xhamajkane tregon dëme masive në qytetin Black River, ku uragani goditi me fuqinë maksimale.
Pamjet shfaqin automjete të përmbytura, linja të rrëzuara elektrike dhe grumbuj mbeturinash në çdo rrugë.
Policia dhe ekipet e shpëtimit po vijojnë patrullimet në terren për të ndihmuar banorët e izoluar.

Deri më tani, sipas Associated Press, në Karaibe janë raportuar shtatë viktima nga stuhia – tre në Xhamajkë, tre në Haiti dhe një në Republikën Dominikane, ndërsa një person rezulton i zhdukur.

Reagimi ndërkombëtar

Presidenti Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara po monitorojnë nga afër situatën dhe janë gati të ndihmojnë Xhamajkën në rikuperim.
“Po shkakton dëme të jashtëzakonshme. Në baza humanitare, ne duhet ta bëjmë këtë,” – u tha Trump gazetarëve nga Air Force One, gjatë fluturimit nga Japonia për në Korenë e Jugut.

Ndërkohë, Kryqi i Kuq paralajmëron se deri në 1.5 milion njerëz mund të preken drejtpërdrejt nga uragani në Karaibe dhe Kubë.

Rreziku nga krokodilët për shkak të përmbytjeve

Autoriteti Shëndetësor Rajonal Juglindor i Xhamajkës njoftoi se përmbytjet e mëdha mund të zhvendosin krokodilët nga habitatet e tyre natyrore drejt zonave të banuara.
Qytetarët janë paralajmëruar të shmangin ujin e përmbytur dhe të mos përpiqen të kapin ose dëmtojnë kafshët nëse i hasin.

Edhe pse stuhia është larguar nga Xhamajka, kushtet ekstreme të motit vazhdojnë në shumë zona.
Autoritetet thonë se operacionet e shpëtimit dhe vlerësimet e dëmeve do të zgjasin disa ditë, ndërsa Uragani Melissa po forcohet sërish në rrugën drejt Kubës dhe Bahamave.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta