Të enjten merret vendimi për Niko Peleshin/ TCH zbulon raportin e PD: Ka kthyer Kuvendin në “teatër kukullash” në shërbim të kryeministrit “karagjoz”, të shkarkohet

29/10/2025 10:04

Dy raporte, dy qëndrime për fatin e Niko Peleshit  në krye te Kuvendit. 

Por, fjalën e fundit e ka seanca plenare e së enjtes. 24 orë para mbledhjes se Parlamentit gazetarja e Top Channel, Elda Menga, ka zbuluar raportin e Partisë Demokratike ku rendit 5 shkelje që në bindjen e demokratëve janë shkak për ndërprerjen e mandatit te kryeparlamentarit.

Akuza kryesore për shkarkim e Niko Peleshit, në dokumentin që Top Channel disponon është qëndrimi i njëanshëm i kryeparlamentarit  ne shërbim te partisë që e ka vendosur në krye te piramidës se shtetit  duke shndërruar Kuvendin në “teatër kukullash” me dirigjent shefin e tij politik.

“Fakti që Kryeministrin e kanë lëshuar nervat, është i lodhur dhe ndjehet i padenjë për të përballuar debatin parlamentar, nuk mund të nënkuptojë kurrë që ai mund t’i caktojë linjën e sjelljes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, apo mund të vijë në seancë plenare dhe të sillet siç dëshiron në kundërshtim me Kushtetutën. Salla e seancës plenare nuk mund të shndërrohet nga një Kryeministër karagjoz në një “teatër kukullash”, citohet ne raportin e PD, që Top Channel e disponon.

Demokratët i referohen dy seancave specifikisht të 16 shtatorit e thirrur dhe drejtuar sipas tyre në kundërshtim me afatet e parashikuara në Kushtetutë dhe Rregullore, ku u miratuan projektvendime me procedurë të përshpejtuar pa respektuar afatet, si dhe seancën e 18  shtatorit ku sipas raportit  kreu i Kuvendit  nuk i ka lejuar opozitës të diskutojë për programin politik dhe përbërjen e Qeverisë duke ia kaluar fjalën “Diellës”, ministres virtuale.

“Kushtetuta e Shqipërisë, ashtu si edhe Rregullorja e Kuvendit në frymë dhe në gërmë, kanë sanksionuar statusin dhe figurën e Kryetarit të Kuvendit, si person që qëndron mbi palët dhe shërben për zgjidhjen dhe ndërmjetësimin e problemeve që mund të krijohen gjatë aktivitetit parlamentar, megjithëse fillimisht propozohet dhe zgjidhet nga një palë politike e caktuar. Nga faktet, e drejta e aplikueshme dhe analiza ligjore është e qartë se Z. Niko Peleshi nuk përmbush këtë status të veçantë, pasi me sjelljet, veprimet dhe mosveprimet e tij kanë treguar sjellje krejtësisht të njëanshme, që nxit tensionin dhe konfliktin ndërmjet palëve, duke pamundësuar zhvillimin normal të debatit parlamentar”, thuhet ne raport.

Raporti i PD ashtu si i PS do hidhet për votim ne seancën e se enjtes, por kërkesa e opozitës është thjesht një akt politik, pasi për të shkarkuar kryetarin e Kuvendit duhen 71 vota pro.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta