“Mendo për 3 fëmijët, do bëhesh shumë i pasur”, SHBA kërkoi të joshte pilotin e Nicolás Maduros për të tradhtuar udhëheqësin venezuelas. Zbulohen mesazhet
Të paktën 50 palestinezë, mes tyre 22 fëmijë, u vranë dhe mbi 200 u plagosën të martën në mbrëmje në një valë sulmesh ajrore izraelite në Rripin e Gazës, njoftuan Mbrojtja Civile dhe spitalet lokale të drejtuara nga Hamasi.
Izraeli tha se sulmet ishin kundërpërgjigje ndaj “shkeljeve” të marrëveshjes së armëpushimit nga Hamasi, pasi një ushtar izraelit u vra në jug të Gazës. Hamasi mohoi çdo përfshirje, duke e quajtur bombardimin “kriminal” dhe “shkelje të hapur të marrëveshjes”.
Sulmet goditën shtëpi, shkolla dhe blloqe banimi në qytetin e Gazës, Beit Lahia, Bureij, Nuseirat dhe Khan Younis. Dëshmitarë përshkruan “shtylla zjarri e tymi” që ngriheshin mbi qytet. Ekipet e shpëtimit paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë persona janë ende nën rrënoja.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë për “sulme të fuqishme”, ndërsa ministri i mbrojtjes Israel Katz paralajmëroi se “Hamasi do të paguajë shumëfish” për vrasjen e ushtarit dhe shkeljen e marrëveshjes së pengjeve.
Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Donald Trump tha se “asgjë nuk do ta rrezikojë armëpushimin”, por shtoi se Izraeli “duhet të kundërsulmojë kur sulmohet”.
Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga SHBA, Egjipti, Katari dhe Turqia, është pjesë e planit 20-pikësh të paqes për Gazën, i cili parashikon shkëmbimin e pengjeve me trupat dhe të burgosurit palestinezë.
Sipas të dhënave palestineze, më shumë se 68,500 persona janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës në tetor 2023.
Top Channel