Shtetet e Bashkuara i kanë hequr nga lista e sanksioneve ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodikun, si dhe anëtaren e Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviç, njoftoi Departamenti i Thesarit të mërkurën.

Përveç tyre, nga lista e zezë janë hequr dhe anëtarët e familjes së Dodikut, kompanitë e tyre dhe bashkëpunëtorët e ngushtë.

Dodik, presidenti i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, ishte sanksionuar dy herë për shkak shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.

Përveç tyre, 48 individë dhe subjekte juridike, që më parë ishin sanksionuar sipas Programit të Sanksioneve për Ballkanin Perëndimor, u hoqën nga lista e sanksioneve.

Javë më parë, OFAC hoqi nga lista e sanksioneve katër individë nga entiteti serb i Bosnjës, Republika Sërpska, të cilët ishin përfshirë në organizimin e festimeve të ditës antikushtetuese të 9 janarit.

Bëhet fjalë për sanksione për Danijela Dragiçeviç, Jelena Pajiç Bastinac, Dijana Millankoviç dhe Goran Rakoviç.

Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet e Republikës Sërpska nënshkruan një kontratë me firmën ligjore amerikane “Zell & Associates International Advocates” për të lobuar që SHBA-ja t’i heqë sanksionet kundër Millorad Dodikut dhe Zheljka Cvijanoviçit, të promovojnë dialogun midis administratës së Republikës Sërpska dhe Donald Trumpit, si dhe të rishikojnë Marrëveshjen e Dejtonit dhe rolin e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.

Sipas dokumentit të regjistrimit në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë (RFE), firma ligjore do t’i arrijë këto qëllime në SHBA nëpërmjet komunikimit me përfaqësuesit e autoriteteve lokale ekzekutive dhe legjislative, si dhe sektorin joqeveritar.

Deri më tani, kontratat e Republikës Sërpska me firma lobimi dhe avokatie në SHBA kanë të bëjnë kryesisht me promovimin e investimeve dhe këshillat ligjore, dhe këto shërbime kanë kushtuar dhjetëra mijëra dollarë në muaj./REL

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta