Mes alarmit që dhanë ekspertët se me ngërçin aktual politik, Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet, Presidentja Vjosa Osmani do të kërkojë gjetjen e një zgjidhjeje, e pohuar kjo nga këshilltari i saj për Edia, Bekim Kupina.
Kupina i tha REL-së se kryetarja e shtetit do të theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës si dhe miratimin e Planit të Rritjes së BE-së gjatë bisedimeve të ardhshme me partitë politike, teksa edhe shoqëria civile i ka kërkuar asaj që t’i bashkojë partitë për ta miratuar buxhetin e ri.
“Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit. Ajo do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për të shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës”, shprehet Bekim Kupina, këshilltar i Presidentes Vjosa Osmani.
I mandatuari i parë për krijimin e qeverisë së re, Albin Kurti, dështoi t`i merrte të dielën votat e nevojshme për mandatin e tretë, e tani pritet që shumë shpejt, Osmani ti thërrasë partitë politike për konsultime. Kosova e arriti konstituimin e Kuvendit të ri pas një serie vështirësish, por dështimi javën që shkoi për krijimin e qeverisë së re ka nxjerrë në pah një tjetër rrezik, e ai është që vendi të hyjë pa buxhet në vitin 2026.
Top Channel