“Kemi zhdukur korrupsionin në nivelin e parë, radha te prokurimet”/ Rama intervistë për ‘Politico’: Diella do jetë fizikisht në mbledhjet e qeverisë

29/10/2025 21:21

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Paris me ftesë të Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në Forumin e Paqes.

Në një intervistë të dhënë për “politico.eu” Rama foli për mënyrën se si përdorimi i inteligjencës artificiale do të përshpejtojë anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe do të luftojë korrupsionin.

“Kur Open AI (Chat Gpt), doli në fillim e dinim se një në 4 veta është shqiptar dhe ne e telefonuam Mirën. Patëm një bisedë të mirë dhe i thashë po të telefonoj për të na ndihmuar për të luftuar korrupsionin dhe për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE. I thashë, nuk po bëj shaka, sepse po përjetoj nga afër dhe kam një ide. Mund të funksionojë, mund edhe të mos funksionojë. Ajo tha: ‘OK, po të dëgjoj’”.

Rama tha se anëtarësimi në BE kërkon përkthimin dhe përshtatjen e mbi 4600 ligjeve. Për të shmangur nevojën për mijëra përkthyes dhe juristë, qeveria po shfrytëzon inteligjencën artificiale.

Unë ia shpjegova Mirës (Muratit) se anëtarësimi në BE, teknikisht, duke lënë mënjanë politikën, në atë moment nënkuptonte 4,600 ligje dhe akte nënligjore që duhej të përktheheshin, të përshtateshin dhe të miratoheshin në Parlament. Të gjitha vendet para epokës së inteligjencës artificiale kanë ngritur dy ushtri të mëdha me përkthyes dhe juristë. Departamente të tëra, që merren vetëm me përkthim. Dhe unë i thashë: mund ta anashkalojmë këtë, duke e bërë me një asistent virtual.”

Kryeministri shtoi se inteligjenca artificiale do të përdoret edhe për prokurimet publike me anë të “Diellës”, duke zvogëluar korrupsionin dhe thjeshtuar procesin.

“Tani “Diellën” po e sjellim në mbledhjet e qeverisë, që të fillojë t’i ndjekë, të dëgjojë. Dhe të mësojë. Dhe të mësojë, sigurisht, sepse ndryshe nga ne, ajo nuk harron. Çdo gjë që dëgjon, e mban mend. Ajo po përgatitet për intervista live. Ne kemi praktikisht zhdukur korrupsionin në nivelin e parë. Tani na mbetet ta luftojmë në nivelin tjetër, të cilat janë prokurimet publike. Dhe ekziston mundësia që të përdorim inteligjencën artificiale për të realizuar prokurimet publike pa pasur nevojë për mijëra njerëz të përfshirë në proces”.

Kryeministri theksoi mbështetjen e plotë nga partnerët ndërkombëtarë dhe shpreson që këto projekte të sjellin ndryshime të mëdha në qeverisje dhe të përshpejtojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE.

Intervista e plotë:

Kryeministri Edi Rama: Kur Open Ai (Chat Gpt), doli në fillim e dinim se një në 4 veta është shqiptar dhe ne e telefonuam Mirën, patëm një bisedë të mirë dhe i thashë po të telefonoj për të na ndihmuar Për të luftuar korrupsionin dhe për të përshpejtuar anëtarësimin e Shqipërisë në BE. I thashë, nuk po bëj shaka, sepse po përjetoj nga afër dhe kam një ide. Mund të funksionojë, mund edhe të mos funksionojë. Ajo tha: “OK, po të dëgjoj.” Dhe unë ia shpjegova se anëtarësimi në BE, teknikisht, duke lënë mënjanë politikën, teknikisht, vetëm për t’u përmbushur në bazë teknike për Shqipërinë, në atë moment nënkuptonte 4,600 ligje dhe aktnënligjore që duhej të përktheheshin, të përshtateshin dhe të miratoheshin në Parlament.

Të gjitha vendet para epokës së inteligjencës artificiale kanë ngritur dy ushtri të mëdha – përkthyes dhe juristë.  Departamente të tëra, që merren vetëm me përkthim. Dhe unë i thashë: mund ta anashkalojmë këtë, duke e bërë me një asistent virtual.

Tani po e sjellim në mbledhjet e qeverisë, që të fillojë t’i ndjekë, të dëgjojë. Dhe të mësojë, sigurisht, sepse ndryshe nga ne, ajo nuk harron. Çdo gjë që dëgjon, e mban mend. Pra, është aty duke dëgjuar. Ajo po përgatitet për intervista live. Nesër do të bëjmë eksperimentin e parë. Është pak i guximshëm, sepse akoma nuk është 100%, por unë thashë “OK”, sepse na kërkuan ta sillnim Diellën këtu. Dhe i thashë ekipit tim: “Shikoni, le ta bëjmë një intervistë live.” Në vend që të japë vetëm një mesazh, t’i themi gazetarit se do të flasë për këtë temë.  Pra, ai nuk duhet ta pyesë për krizën e industrisë automobilistike në Gjermani, sepse normalisht nuk di gjë. Kështu që nesër do të jetë eventi i parë live i Diellës.

Ajo çfarë shohim është se pranverën e ardhshme do të jetë në gjendje të dalë në TV, të japë intervista me ju në Zoom. Dhe po e përgatisim edhe hologramin e saj, që të jetë e pranishme fizikisht në mbledhjet e qeverisë, në TV, apo në Parlament. Po përgatisim dy holograme: një vetëm portret, dhe një tjetër në këmbë.

Pyetje: Mund të duket sikur një kryeministër afatgjatë po e përgatit për një mision edhe më të madh.

Kryeministri Edi Rama: Jo, por ne e besojmë fuqimisht. Dhe më pas kemi nisur një projekt të dytë, që unë e quaj “fëmijët e Diellës.” Po përgatisim për çdo deputet në Parlament nga një asistent që do të jetë si “fëmija i Diellës.” Ky asistent do të jetë me ju në sallë, do të dëgjojë dhe do t’ju ndihmojë për të shkruar fjalime, për temat që ngrini. Dhe gjëja interesante është se kur dilni për një kafe dhe ktheheni, ai ju thotë: “Nuk u përmend emri juaj” ose “Kancelari mori fjalën dhe tha këtë, apo kundërshtari tha atë.” Pra, është diçka krejt ndryshe.

Kryeministri Edi Rama: Ne kemi praktikisht zhdukur korrupsionin në nivelin e parë. Tani na mbetet ta luftojmë në nivelin tjetër, të cilat janë prokurimet publike. Dhe ekziston mundësia që të përdorim inteligjencën artificiale për të realizuar prokurimet publike pa pasur nevojë për mijëra njerëz të përfshirë në proces.

Dy janë momentet ku futet korrupsioni në procesin e prokurimit publik. E para është kur hartohen termat e referencës. P.sh., do të ndërtosh një rrugë dhe thua se na duhet një kompani që ka kaq punëtorë, kaq eksperiencë, këtë e atë, dhe aty futet një kusht që e orienton tenderin drejt një kompanie të caktuar. Momenti i dytë është gjatë vlerësimit të ofertave, kur komisioni thotë: ‘Ju mungon ky dokument’, ose ‘Ky dokument nuk është i qartë’.

Por në fakt, çfarë përmban një ofertë tenderi është kryesisht informacion publik. Nëse unë ju pyes sa taksa paguani kjo është e regjistruar nga shteti. Sa punonjës keni, sa sigurime paguani, sa është qarkullimi vjetor të gjitha këto të dhëna shteti i zotëron. Pra, duke krijuar një rezervuar të madh të dhënash, nuk keni pse u thoni kompanive të mbledhin letra e letra. Ju thoni: ‘Ky është projekti, sillni ofertën’.

Kemi punuar me këto dy projekte, me Mirën dhe ekipin e saj, dhe gjithashtu Microsoft është bërë pjesë e tyre. Dhe po ju them diçka: mënyra se si po e bëjmë këtë transferim është e jashtëzakonshme. Thjesht e mahnitshme. Modeli filloi me 85% saktësi, ku përkthyesit kontrollonin, ndërsa sot është në 98%. Përkthyesit tani thonë se është më i saktë se ne. Sigurisht që ata kontrollojnë, por është diçka krejt tjetër.

Dhe gjëja tjetër që po bëjmë me këtë model është vërtet mbresëlënëse. Po përpiqemi të pastrojmë legjislacionin nga mbivendosjet. Për shembull, pashë një konferencë të një juristi të madh në Itali, i cili krahasonte Gjermaninë me Italinë dhe thoshte: ‘Është e njohur botërisht që Gjermania ka sundim më të mirë të ligjit se ne. Por shikoni sa ligje kanë: një të tretën e Italisë.’ Gjermania ka vetëm një të tretën e ligjeve të Italisë.

Ky është thelbi, nuk të duhen më shumë ligje, por zbatim i mirë. Në Evropën Jugore, përfshirë Shqipërinë, ligjet shpesh mbivendosen. Tani me Diellën po bëjmë një “gërmim” për t’i hequr këto mbivendosje nga sistemi ynë ligjor.

Ne kemi praktikisht zhdukur korrupsionin në nivelin e parë. Tani na mbetet ta luftojmë në nivelin tjetër, në prokurimet publike. Dhe ekziston mundësia që të përdorim inteligjencën artificiale për të realizuar prokurimet publike pa pasur nevojë për mijëra njerëz të përfshirë në proces.

Pyetje: A keni mjaftueshëm suport?

Kryeministri Edi Rama: Sigurisht që po. Ai e tha shumë qartë: “Ne ju duam në BE dhe nuk ka më kohë për të humbur.”

Dhe së dyti, ai tha gjithashtu se dëshiron të rigjallërojë procesin e vlerave, gjë që do të ishte diçka e shkëlqyer.

Pyetje: Nëse do t’i kërkoni një dëshirë atij, a ka diçka që mendoni se mund të bëhet më shpejt ose më lehtë?

Kryeministri Edi Rama: Jo, por dëshira ime për të është që të ketë gjithë suksesin që Gjermania ka nevojë. Sepse, nëse Gjermania arrin suksesin e saj, kjo do të ketë si efekt anësor pozitiv edhe për ne. Por, nëse nuk do të jetë i suksesshëm, ne mund të bëhemi dëm kolateral. Pra, çështja është që ai të ketë sukses aty. Unë ia uroj këtë me gjithë zemër, jo vetëm për këtë arsye, por për shumë arsye të tjera. Sepse një Europë pa Gjermaninë në timon është e humbur. Është e humbur. Është shumë e vështirë të gjendet një alternativë tjetër. Nuk ka.

Lajmi në përditësim…

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta