Aaron Ramsey i shqetësuar, i ka humbur qenushja, jep shpërblim 10 mijë dollarë
Një histori e jashtëzakonshme frymëzimi vjen nga Natalie Grabow, e cila në moshën 80-vjeçare u bë gruaja më e moshuar që ka përfunduar ndonjëherë Kampionatin Botëror Ironman në Kailua-Kona, Hawaii.
E pabesueshme është se për pjesën më të madhe të jetës së saj, Natalie nuk dinte të notonte. Vetëm në moshën 59-vjeçare ajo vendosi ta mësonte këtë aftësi, me një qëllim të qartë: të merrte pjesë në një triatlon.
“Ishte një pengesë e madhe që duhej ta kapërceja për të marrë pjesë në një triatlon”, tha ajo për NPR.
Të shtunën në mëngjes, Natalie u hodh në ujërat e Gjirit Kailua, duke notuar 2.4 milje, më pas pedalon 180 milje me biçikletë përmes peizazheve vullkanike dhe erërave të forta, për ta mbyllur me një maratonë prej 26.2 miljesh. Ajo e përfundoi garën në 16 orë e 45 minuta, brenda afatit prej 17 orësh – ndërkohë që më shumë se 60 garues të tjerë nuk ia dolën.
“Jam shumë e lumtur dhe mirënjohëse që ende mund të marr pjesë në këtë sport në moshën time,” u shpreh Grabow. “Triatloni më bën të ndihem e fortë, mendërisht dhe fizikisht.”
Natalie ishte e vetmja konkurrente në grupmoshën 80-84 vjeç, e mbështetur nga vajza e saj Amy dhe trajnerja Michelle Lake, e cila e përshkroi atë si “përkufizimin e këmbënguljes dhe mirënjohjes”.
E para që e përqafoi në vijën e finishit ishte Cherie Gruenfeld, gruaja rekordin e së cilës Grabow e theu — Gruenfeld kishte përfunduar Ironman-in në moshën 78 vjeç, në vitin 2022. Ndërsa rekordi absolut mbetet ai i japonezit Hiromu Inada, që e realizoi garën në moshën 85 vjeç në vitin 2018.
Për Natalie, kjo arritje shënon kulmin e një rruge 20-vjeçare në triatlon, që nisi në vitin 2005 kur ajo mësoi të notonte dhe mori pjesë në garën e saj të parë me sprint. Ky ishte Kampionati i saj i 11-të Botëror Ironman në Kona.
“Kur pashë miqtë e mi duke bërë triatlon, doja ta provoja edhe unë — si për sfidë, ashtu edhe për argëtim,” kujton ajo. “Nëse je i motivuar dhe punon shumë, nuk është kurrë vonë për të nisur një sfidë të re.”
Pas këtij suksesi historik, Natalie planifikon një pushim të shkurtër përpara se të rikthehet në stërvitje. Ajo tashmë është regjistruar për dy gara Ironman 70.3 në vitin 2026, duke dëshmuar se mosha nuk është kurrë një pengesë për pasionin dhe këmbënguljen.
Top Channel