Zgjedhjet parlamentare në Holandë, ekstremi i djathtë i dyti, surprizë në vendin e parë
Një gjyqtar i lartë belg ka ngritur alarmin për një kolaps të mundshëm të shtetit ligjor, duke shkaktuar jehonë ndërkombëtare.
Në një letër të cilësuar tashmë dramatike, e cila është bërë publike në sistemin e drejtësisë belge, ai paralajmëron se kriminaliteti i lidhur me drogën po minon themelet e demokracisë në vend.
Sipas gjyqtarit, rrjete mafioze të mirëorganizuara kanë depërtuar në institucionet publike dhe kanë krijuar një pushtet paralel, që sfidon hapur policinë dhe drejtësinë. Ai thekson se korrupsioni ka arritur përmasa alarmante, sidomos në portin e Antwerpenit, një prej pikave më të mëdha hyrëse të kokainës në Europë.
Në letër përshkruhen shifra marramendëse që ofrohen nga grupet kriminale: 100 mijë euro për lejen e kalimit të një kontejneri pa kontroll, apo 50 mijë euro për dorëzimin e një çante me mallra të paligjshme.
“Pavarësisht përpjekjeve të policisë dhe drejtësisë, ne nuk jemi më në gjendje të mbrojmë qytetarët tanë dhe as vetveten”, shkruan gjyqtari, duke zbuluar se është detyruar të jetojë katër muaj në një shtëpi të mbrojtur.
Letra, e publikuar anonimisht për arsye sigurie, dyshohet të jetë shkruar nga një prej 17 gjyqtarëve hetimorë të Antwerpenit, që kanë kompetenca për miratimin e përgjimeve telefonike dhe hetimeve të thelluara.
“Struktura mafioze kanë zënë rrënjë në çdo nivel. Nëse drejtësia pushon së funksionuari, atëherë demokracia është në rrezik serioz”, paralajmëron gjyqtari, duke shtuar pyetjen retorike që ka ngjallur debat në mbarë Belgjikën:
“A po shndërrohemi në një narko-shtet?”
Sipas tij, të tre elementet që përkufizojnë një narko-shtet, ekonomi ilegale, korrupsion dhe dhunë, janë tashmë të pranishme në Belgjikë.
Top Channel