Kurti liron nga detyra zëvendësministrin e Zhvillimit Rajonal, reagojnë socialdemokratët: Hakmarrja nuk ka nisur, por vetëm vazhdon
Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka pezulluar përkohësisht nga detyra zyrtare prokurorin Beqë Shala, i cili u arrestua një ditë më parë nën dyshimet për marrje të ryshfetit.
Pezullimi nga puna i Shalës, që është prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, sipas KPK-së do të jetë në fuqi deri në “përfundimin e procedurës penale që është në zhvillim e sipër”.
“KPK njofton se ky vendim është marrë me qëllim të sigurimit të paanshmërisë, integritetit dhe efikasitetit të procedurës penale hetimore, si dhe për të garantuar zhvillimin e pandikuar të procedurës si dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial të Kosovës”, u tha në njoftim.
Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, prokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala, u arrestua në vendin e tij të punës dhe më pas iu caktua masa e ndalimit prej 48-orësh.
Gjatë aksionit të 27 tetorit, ndërkaq hetuesit policorë kryen bastisje në zyrën dhe shtëpinë e tij.
Prokuroria tha se do të kërkojë nga gjykata caktimin e masës së paraburgimit.
“Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale”, tha Prokuroria Speciale më 27 tetor.
Betimi për Drejtësi, medium i specializuar për raportime në fushën e drejtësisë, tha se ishte duke kryer një hulumtim për Shalën dhe posedon një video-incizim të tij duke pranuar ryshfet.
Sipas Betimit për Drejtësi, më 25 gusht të vitit 2022 prokurori Shala ishte takuar me një avokate dhe gjatë takimit të zhvilluar në vetën e prokurorit, avokatja i jep Shalës 350 euro ryshfet për të mos paraqitur kërkesë për caktimi e masës së paraburgimit ndaj klientit të saj, pasi ai ishte ndaluar për 48 orë.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, një person zyrtar që në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthortë kërkon ose pranon ryshfet në mënyrë që ai të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, mund të dënohet me gjobë ose me burgim nga një deri në tetë vjet.
Personi zyrtar po ashtu mund të dënohet me 12 vjet burgim nëse veprimi i kryer është në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.
Kodi parasheh edhe dënime më të larta me burgim, përkatësisht deri në 15 vjet, nëse vepra penale rezulton në dobi materiale në vlerën që kalon 15 mijë euro. /rel
Top Channel