Policia ka vënë në pranga shoferin e mjetit që përplasi për vdekje 17-vjeçarin në Vlorë.

Sipas autoriteteve shoferi po e drejtonte mjetin në gjendje të dehur, ndërsa mbi të rëndojnë dy vepra penale.

“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin H. B., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 28.10.2025, rreth orës 00:15, në bulevardin “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin tip “Porsche”, në gjendje të dehur, është përplasur me motomjetin tip “Trinity”, me drejtues një shtetas të mitur, 17 vjeç, i cili si pasojë, ka ndërruar jetë”, njofton policia.

Gjyshi i 17-vjeçarit që u aksidentua për vdekje pas mesnatës të së hënës ka deklaruar se nipi i tij po kthehej nga puna.

Ai u shpreh se makina që e aksidentoi po ecte me 200 km/orë. Gjyshi i të ndjerit tregoi se prej 8 orësh janë në morgun e Vlorës, teksa shton se as mjeku ligjor dhe as prokurori nuk kanë vijuar me procedurat e tyre.

“Më është aksidentuar djali i vajzës, jam gjyshi. Mbrëmë në 12 të natës është aksidentuar. Kemi ardhur në morgun e Vlorës, prej 8 orësh. Nuk vjen mjeku ligjor të bëjë punën. Shteti po na kthen shpinën. Nuk vjen as prokuroi dhe as mjeku ligjor.

30 policë këtu dhe nuk merr njeri masa. Një makinë na ka vrarë djalin, në bulevardin kryesor, ka ikur me 200 km/orë. Asnjë patrullë policie nuk i ka dalë përpara. Nuk më japin djalin ta shoh, nipi nuk është kriminel”, u shpreh gjyshi i 17-vjeçarit.

Lexo edhe: Aksident i rëndë në orët e para të mëngjesit në Vlorë, humb jetën 17-vjeçari/ Familjarët të revoltuar: Nuk na japin trupin e djalit

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta