“Ngjarjet e sotme tregojnë krizën e thellë në Shqipëri”, Gjekmarkaj: Siguria publike nuk është luks, qeveria të ndalojë propagandën e të përballet me realitetin

28/10/2025 21:14

Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj ka reaguar pas ngjarjeve të rënda që ndodhën ditën e sotme në vend.

Përmes një postimi në Facebook Gjekmarkaj shkruan se ngjarjet e rënda të orëve të fundit tregojnë më qartë se kurrë, krizën e thellë të sigurisë publike në vend. Nënkryetaria i Kuvendit ndër të tjera shkroi se siguria publike nuk është luks dhe se qeveria duhet të ndalë propagandën dhe të përballet me realitetin.

Postimi i plotë i Gjekmarkajt:

Ngjarjet e rënda që kanë ndodhur gjatë orëve të fundit tregojnë më qartë se kurrë krizën e thellë të sigurisë publike në Shqipëri.

Në Vlorë, një kamarier i ri humbi jetën pasi u përplas nga një automjet që ecte me shpejtësi. Në Tiranë, një kuzhinier u vra nga picieri. Në Durrës, një baba nga i biri. Në Berat, një turist i huaj nga qiraxhiu i kuajve. Në Shkodër, një punonjës shteti u bë “viktimë” e tritolit.

Pesë ngjarje tragjike brenda një dite nuk janë rastësi, janë pasojë direkte e mungesës së shtetit, e mungesës së kontrollit, e mungesës së rendit dhe e dështimit të institucioneve përgjegjëse për sigurinë publike.

Në vend që të garantojë jetën e qytetarëve, qeveria ka zgjedhur të mbyllë sytë përballë shkatërrimit të rendit, arrogancës në rrugë, lirimit të elementëve të rrezikshëm dhe mungesës totale të zbatimit të ligjit.

Kur drejtësia hesht, kur policia shndërrohet në aparat propagande, kur jeta e qytetarit humbet çdo vlerë, atëherë shteti ka dështuar në misionin e tij themelor.

Shqipëria nuk mund të prezantohet si “një nga vendet më të sigurta në Europë” ndërkohë që qytetarët e saj vriten në rrugë, në punë e në shtëpi.

Siguria publike nuk është luks, është detyrim kushtetues i shtetit. Është koha që qeveria të ndalë propagandën dhe të përballet me realitetin.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta