“Jemi shumë larg direktivave që kërkon BE”, Këlliçi: Keqmenaxhimi i energjisë e mban larg Shqipërinë nga objektivat e 2030-ës

28/10/2025 19:30

Belind Këllici, deputeti i PD ka mbajtur fjalën e tij gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar, duke vënë në dukje problemet e Shqipërisë në sektorin e ekonomisë.

Ai është shprehur se situata aktuale e energjisë së rinovueshme në vend është shumë larg direktivave që kërkon Bashkimi Evropian dhe sipas tij, keqmenaxhimi i energjisë e mban larg Shqipërinë nga objektivat e 2030-ës

“Nuk mund ta fsheh faktin që kam një mosdakortësi të situatës ne vend me ato në letra.Ka shumë probleme me korrupsionin ne sektorin e energjisë, si sektor që përbënë bazën e zhvillimit ekonomik të vendit. Shqipëria burimin kryesor të energjisë parësore e siguron nga produktet e naftës, energjia hidrike, energjia elektrike e importuar, përdorimi i druve të zjarrit dhe sasi të tjera shumë të vogla nga burime alternative.

Thënë qartë familjet shqiptare 25% të energjisë e sigurojnë nga djegia e druve të zjarrit, ç’ka bën që Shqipëria të dështojë në integrimin e energjisë së rinovueshme në sistemin e ngrojes dhe ftohjes. Kjo ka një ndikim shumë të lartë në përmbushjen e Direktivës Vlerësimit dhe Impaktit Mjedisor. Shqipëria ka shfrytëzuar afërsisht 50% të potencialit të saj hidroenergjetik, ndërkohë që ndihma e drejtpërdrejtë shtetërore në zhvillimin e këtij potenciali ka munguar.

Aktualisht drejtori i Bursës Shqiptare të Energjisë është nën hetim për favorizim të tregtarëve të furnizimit me energji elektrike, deformim të tregut të energjisë elektrike nëpërmjet kontratave të njëanëshme me tregtarë spekulativë dhe çmime zyrtarisht të provuara më të larta se ato që publikon bursa Shqiptare e Energjisë.

Keq menaxhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme e mban larg Shqipërinë nga objektivat e 2030 dhe 2050 për të rritur përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe për të ulur emetimet e efektit serë. Kjo fakton që tregu i energjisë elektrike nuk është i integruar dhe vijon të operohet në formë të deformuar.

Si pasojë e këtij deformimi sektori i energjisë elektrike ka humbjet më të larta të energjisë në rajonin e Ballkanit dhe investimet me efiçencën më të ulët në rajon.

Nga viti 2015 në sektorin energjitik janë investuar më shumë se 2 miliardë Euro, por vendi ynë vijon të ketë rrjet të transmetimit dhe të shpërndarjes që nuk garanton siguri furnizimi dhe humbje shumë të larta në krahasim me vendet anëtare të ENTSO-e”, u shpreh Këlliçi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta